Rusët ikën, tani fillon “gjuetia” për bashkëpunëtorët në fshatrat ukrainas
Në Ivanivka, në një fshat të Ukrainës, Olena hodhi sytë nga dritarja e dhomës së saj për të parë fqinjin e saj, një burrë i gjatë me nofkën Girovka, duke dalë nga një makinë me shenja ruse dhe më pas filloi të dërgonte sinjal nga ana tjetër e rrugës.
Të nesërmen, tanket ruse dhe mjetet e blinduara dolën nga pylli në një kolonë të gjatë, duke zbritur në këtë fshat të vogël rreth 60 milje në jug të kufirit rus, përgjatë së njëjtës rrugë. Ditë më vonë, pas tërheqjes së forcave ruse nga veriu dhe qendra e Ukrainës, katër hetues nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës hynë në shtëpinë e 66-vjeçares Olena.
Ajo u tha atyre atë që kishte parë dhe u tregoi vendin ku Girovka kishte qëndruar dhe kishte dërguar sinjalin. Fqinjë të tjerë u thanë hetuesve se Girovka ishte parë duke ecur drejt dhe nga pozicionet ukrainase disa minuta përpara se ato të bombardoheshin nga forcat ruse.
Që atëherë askush në fshat nuk e ka parë më fqinjin, raporton abcnews.al.
“Ndoshta ata e bënë atë për para?” Olena, të cilën The Washington Post e ka identifikuar vetëm me emrin e saj për shkak të shqetësimit për një hakmarrje të mundshme kundër saj. Ajo foli për ata që dyshohen se bashkëpunojnë me Rusinë.
“Forcat ruse i kanë premtuar diçka. Pyes veten se si është e mundur të shesësh ndërgjegjen dhe dinjitetin tënd. Une nuk e di. Nuk e kuptoj.”
Në qytetet e vogla dhe fshatrat anembanë Ukrainës që ranë në duart e forcave ruse më shkurt dhe mars por që tashmë janë çliruar, mjegulla e luftës është zëvendësuar nga mjegulla e komplotit dhe dyshimit.
Forcat e armatosura të Ukrainës nuk pranuan të tregojnë se sa ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me Rusinë janë identifikuar ose kapur.
Associated Press raportoi se rreth 400 njerëz në rajonin e Kharkiv-it të dyshuar për bashkëpunim janë arrestuar dhe mund të përballen me ndjekje penale sipas ligjeve të reja. Dmytro Ivanov, nënkryetari i administratës civile-ushtarake rajonale të Chernihiv, tha se shërbimet e sigurisë po hetojnë rastet e bashkëpunëtorëve të dyshuar që kanë bashkëpunuar me forcat ruse.
Ai tha se disa ukrainas i kanë treguar rusëve vendin e depove të ushqimit dhe furnizimeve. Në disa raste, tha ai, bashkëpunëtorët kishin pranuar ushqim ose para nga rusët në këmbim të informacioneve.
Në fshatrat në verilindje të Mykolaiv të Ukrainës, një qytet me rreth 500,000 banorë pranë bregut të Detit të Zi, pushtuesit rusë u dëbuan pas më pak se dy javë. Në Pisky, i cili ka rreth 800 banorë, një burrë përshëndeti gazetarët e Washington Post duke u thënë atyre se qyteti ishte plot me “rusistë” – një term që ukrainasit e kanë krijuar për “fashistët rusë”.
Ai tha se shumica e vendasve mbështetën Viktor Janukoviçin, presidentin pro-rus ukrainas, i cili u rrëzua gjatë revolucionit të vendit të vitit 2014. Njerëzit në qytet ende akuzojnë drejtorin e shkollës se ka ndihmuar rusët dhe duke u dhënë atyre informacione. Post nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Fshatarët në Berezanka, afër Chernihiv, folën për rastin një punonjësi të Agjencisë Shtetërore të Burimeve Pyjore, shtëpia e të cilit u bastis nga forcat ruse. Disa banorë vendas thanë se ishte në fakt punonjësi, Oleh Nechypurenko, i cili me dëshirë u ofroi armët rusëve.
Ai ishte arrestuar nga agjentët e sigurimit ukrainas, thanë ata. Nechypurenko, 50 vjeç, tha se asnjë prej tyre nuk ishte e vërtetë. I vizituar nga një gazetar në shtëpi me gruan e tij, djalin dhe dy qentë, ai tha se rusët kishin ardhur dhe kishin marrë armën e tij të vetme – një pushkë gjuetie të kalibrit të vogël përpara se të largoheshin paqësisht. Ai tha se policia ukrainase e intervistoi më vonë, por nuk e mori në paraburgim.
Në Yahidne aty pranë, një çift i martuar që janë rreth të 50-tave thanë se ushtarët rusë erdhën direkt në shtëpinë e tyre kur hynë në fshat, duke bastisur shtëpinë e tyre dhe kasollen e magazinimit për para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, raporton abcnews.al.
Minenkos konsiderohen të pasur në fshatin me rreth 300 banorë; ata mendojnë se rusët kishin informacion për pasurinë e tyre. Pasi bastisën shtëpinë e tyre, ushtarët rusë përdorën dyshemenë si tualet përpara se të largoheshin, tha Vitaliy Minenko, 58 vjeç.
Fshatarët që dolën në rrugë u detyruan të këndonin himnin kombëtar rus dhe u kërcënuan me vdekje nëse ndalonin së kënduari, thanë ata.
Brenda shkollës në Pisky, kishte një poster që lavdëronte burrat dhe gratë vendase që kishin shërbyer në ushtrinë ukrainase, duke luftuar në rajonin lindor të Donbasit të vendit kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.
Djali i Polyshuk, Evhen Kostenyuk, ishte një nga ata. Shërbimi i tij përfundoi në vitin 2017 dhe ai tha se nuk e dinte se fotografia dhe emri i tij ishin postuar brenda shkollës derisa ushtarët rusë e tërhoqën zvarrë nga shtëpia e nënës së tij.
E mbajtën për 24 orë, duke e rrahur dhe torturuar, tha ai. Pastaj e çuan në pyllin e një qyteti fqinj dhe e qëlluan, tha ai. Trupat ruse menduan se ai kishte vdekur. Ata e lanë atë atje dhe kur dëgjoi zhurmën e mbylljes së dyerve të makinës dhe më pas gomave, ai u largua falë ndihmë së një të huaji.
I huaji e ndihmoi të lidhte shpatullën, vendin ku ishte qëlluar për të frenuar gjakderdhjen, më pas e çoi atë në një postbllok ushtarak ukrainas.
Polyshuk tha se drejtori i shkollës u largua nga qyteti kur rusët u larguan, por që është kthyer. /Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al/
Rruga Press