Bota

“Rusët e përdorin përdhunimin si instrument lufte në Ukrainë”

Kur trupat ruse u futën në Ukrainë dhe filluan t’i afroheshin kryeqytetit, Andrii Dereko iu lut thjeshtrës së tij 22-vjeçare Karina Yershova që të ikte nga vendi ku jetonte, shkroi CNN të premten.

Por, Yershova insistoi se donte të qëndronte në Bucha, duke i thënë: “Mos fol marrëzira, gjithçka do të shkojë mirë – nuk do të ketë luftë”, tha ai.

Me tatuazhet e saj dhe flokët e gjatë të kafenjtë, Yershova dallohej në turmë, tha njerku i saj, ndërsa shtoi se pavarësisht se ishte me artrit reumatoid, ajo kishte një shpirt të furishëm dhe të lirë: “Ajo vetë vendosi si të jetonte”.

Yershova punonte në një restorant në Bucha dhe shpresoi të merrte diplomën universitare në të ardhmen.

Teksa trupat ruse rrethuan Buchan në fillim të marsit, Yershova u fsheh në një apartament me dy miq. Në një nga herët e fundit që Dereko dhe gruaja e tij Olena dëgjuan nga Yershova, ajo u tha se kishte lënë apartamentin për të marrë ushqim në një market aty afër.

“Nuk menduam se rusët do të arrinin në atë pikë sa të qëllonin civilë”, tha ai. Të gjithë shpresonim se të paktën nuk do t’i preknin gratë dhe fëmijët, por e kundërta ndodhi.

Kur kaluan javë pa ndonjë fjalë nga Yershova, familja ishte e dëshpëruar për informacion. Nëna e saj postoi në Facebook duke u lutur për dikë që e kishte parë.

Asaj iu tha se fotografi të një gruaje të vdekur me tatuazhe të njëjta si të Yershovas – një trëndafil në dorën e saj – ishin shpërndarë në një grup në Telegram të krijuar nga një hetues në Bucha, i cili po përpiqej të identifikonte qindra trupa të gjetur në qytet, pasi trupat ruse ishin tërhequr nga aty dy javë më parë.

Dereko ka thënë se fotografitë treguan trupin e gjymtuar të thjeshtrës së tij. Policia i tha familjes se ajo ishte vrarë nga ushtarët rusë.

Dukej sikur ajo ishte torturuar ose kishte luftuar, ka thënë ai.

“Ata e gjymtuan atë. Ata e qëlluan atë në këmbë dhe më pas i dhanë një fashë për t’ia ndaluar gjakderdhjen. Dhe më pas e qëlluan atë”.

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

Dereko beson gjithashtu se Yershova ishte abuzuar seksualisht nga trupat ruse.

“Hetuesit policorë lanë të kuptohej se ajo ishte përdhunuar”, ka thënë ai.

Zyrtarët ukrainas thonë se forcat ruse kanë abuzuar seksualisht gra, fëmijë dhe burra që nga fillimi i pushtimit, duke e përdorur përdhunimin dhe abuzimet e tjera seksuale si armë lufte.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe psikologët ukrainas i kanë thënë CNN-it se ata kanë punuar pa pushim me një numër në rritje të rasteve të abuzimit seksual, që pretendohet se janë kryer nga ushtarët rusë.

Një raport nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i lëshuar më 13 prill gjeti shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar nga forcat ruse në Ukrainë, duke theksuar se “raportet tregojnë raste të dhunës me bazë gjinore, si përdhunimit, dhunës seksuale ose ngacmimit seksual”.

“Ushtarët rusë po bëjnë gjithçka që munden për të treguar dominimin e tyre, dhe përdhunimi është po ashtu një mjet këtu”, ka thënë psikologja Vasylisa Levchenko, e cila krijoi një shërbim që ofron këshillim falas për ukrainasit që vuajnë nga traumat e luftës.

Ajo ka thënë se po merret me një rast, përfshirë një 15-vjeçare dhe nënën e saj, të cilat janë abuzuar seksualisht nga ushtarët çeçenë prorusë, dhe me përdhunimin e një gruaje nga shtatë ushtarë – ndërsa të burgosurit ukrainas u detyruan të shikonin.

“Arma (përdhunimi) është demonstrim i përbuzjes së plotë të popullit ukrainas”, ka thënë Levchenko.

Alyona Krivulyak, e cila drejton një linjë telefonike kombëtare në La Strada-Ukrainë – një grup që bën fushatë kundër dhunës me bazë gjinore – tha se linja telefonike ka marrë nëntë raporte përdhunimesh nga i gjithë vendi, shumica e tyre përdhunime në grup të grave.

“Përdhunimi është një instrument lufte kundër popullatës civile – një instrument i shkatërrimit të kombit ukrainas”, tha ajo.

Psikologja Alexandra Kvitko, e cila punon në një linjë telefonike për viktimat e traumës, e drejtuar nga Avokati i Popullit i Ukrainës me mbështetjen e UNICEF-it, tha se ka dëgjuar dhjetëra rrëfime për dhunë seksuale të lidhura me luftën.

“Kjo sasi e dhunës seksuale, ky lloj brutaliteti nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ajo.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Përdhunimi po përdoret për ta thyer moralin e ukrainasve, ka thënë ajo, “për ta ndaluar rezistencën e njerëzve”.

Kvitko tregoi për një rast kur një djalë kishte dalë në rrugë për t’i ndalur ushtarët nga përdhunimi i motrës së tij 19-vjeçare, “një ushtar erdhi, e kapi atë dhe i tha: ‘Jo. Shiko! Tregoju të gjithëve se kjo do t’i ndodhë secilës bushtër naziste’”.

“Çdo veprim i tillë i dhunës seksuale të lidhur me konfliktin – përdhunimi, prostitucioni i detyruar, skllavëria e detyruar – konsiderohet krim lufte dhe shkelje e ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë Charu Lata Hogg, drejtues i organizatës për të drejtat e njeriut “All Survivors Project”.

Raportime të dhunës seksuale shpesh ngrihen gjatë konflikteve, dhe Ukraina nuk përjashtohet.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se viktimat do të përballen me traumën e abuzimit seksual për tërë jetën, ndërsa familjet e atyre që vdiqën, si Karina Yershova, janë lënë në kërkim të përgjigjeve.

Trupi i Yershovas u gjet në një varr të cekët në Bucha, bashkë me 65-vjeçaren Natalia Mazokha dhe burrin e saj 64 vjeç, Victorin.

CNN-i ka bashkuar copëzat e ngjarjes së momenteve të fundit të jetëve të tyre.

Fqinjët i thanë vajzës së Mazokhas, Julia, se ushtarët rusë e kishin zvarritur një grua të plagosur – besohet të jetë Yershova – në oborrin e prindërve të saj në mes të marsit; Natalia u përpoq ta ndihmonte.

Ushtarët u kthyen dy minuta më vonë, kur “nëna ishte afër saj dhe po e ndihmonte, dhe rusët e qëlluan atë, qëlluan nënën time”, tha Julia Mazokha. Babai i saj u vra në korridorin e shtëpisë kur ai u përpoq të merrte vesh çfarë po ndodhte.

“Ata qëndruan të shtrirë në oborr për 10 ditë, siç e kuptova”, tha ajo.

Fqinjët e çiftit e telefonuan vajzën më 20 mars dhe e njoftuan se prindërit ia kishin vrarë.

Andrii Dereko ka thënë se familja e tij kishte ikur dy herë nga agresioni rus, një herë më 2014 nga Donbasi dhe tani. Ata kishin humbur gjithçka, por patën menaxhuar ta rindërtonin jetën në Irpin, afër Buchas.

Tani janë lënë pa asgjë sërish.

“Të paktën herën e parë shpëtova fëmijën tim, këtë herë nuk munda ta shpëtoja”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *