Rrustemi kritikon Gjykatën Kushtetuese për anulimin e 13 ligjeve: Vendim në kundërshtim me praktikën parlamentare, të përligjur nga vetë GJK
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e 13 ligjeve, duke e cilësuar atë si të pabazuar dhe në kundërshtim me praktikën e deritanishme parlamentare dhe vetë jurisprudencën e Gjykatës.
Në një reagim publik, Adnan Rrustemi ka deklaruar se 13 ligje të rëndësishme, përfshirë Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, ligjin për Lojërat Mesdhetare si dhe heqjen e pagesave për transferet e parave të mërgatës, janë mbajtur mbi një vit pa vendim, për t’u anuluar më pas me arsyetimin e mosrespektimit të procedurës.
Sipas Rrustemit, pasi nuk është gjetur asnjë shkelje në përmbajtjen e ligjeve, vëmendja është përqendruar në afatet e shqyrtimit. Ai thekson se shmangia nga afatet është e paraparë dhe e njohur si praktikë parlamentare, madje e përligjur edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese në raste të mëhershme.
“Megjithatë, kësaj here, në kundërshtim me gjithçka, madje edhe me praktikën e tyre, janë anuluar 13 ligje”, ka shkruar Rrustemi.
Ai shton se aspekti i vetëm kushtetues procedural që do të duhej të ishte relevant për Gjykatën është miratimi i ligjeve nga shumica e nevojshme e deputetëve, ashtu siç parashihet me Kushtetutë. Sipas tij, organizimi i punës së Kuvendit, koha e diskutimit dhe votimit të ligjeve janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit dhe nuk përbëjnë element kushtëzues kushtetues.
Në fund të reagimit, Rrustemi akuzon Partinë Demokratike të Kosovës për vonesa të qëllimshme, duke theksuar se “qartazi vonimi ka synuar PDK, vonim i ofruan”, por shton se, sipas tij, “vonim mund të ketë, por shpëtim asnjëherë”.
Rruga Press

