Rruga Maliq–Lozhan–Strelcë shfaq dëmtime serioze vetëm pak javë pas inaugurimit
Rruga e sapoinauguruar Maliq–Lozhan–Strelcë është përfshirë nga dëmtime të konsiderueshme, duke rihapur shqetësimet mbi cilësinë e punimeve publike dhe sigurinë e infrastrukturës rrugore në vend. Vetëm pak kohë pas përfundimit, në disa segmente janë evidentuar çarje anësore, rrëshqitje dhe shembje të tokës, që rrezikojnë stabilitetin e rrugës dhe qarkullimin e automjeteve.
Pamjet e siguruara tregojnë qartë degradimin e anësoreve dhe dëmtimin e strukturës rrugore, duke ngritur dyshime mbi standardet teknike të ndërtimit dhe mbikëqyrjen gjatë zbatimit të projektit. Fakti që këto probleme shfaqen menjëherë pas inaugurimit e bën situatën edhe më alarmante.
Aksi rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë, me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, u prezantua si një investim strategjik, me rëndësi të veçantë për lidhjen e qytetit të Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth.
Rruga pritej të shërbente si një korridor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të rajonit, si dhe për përmirësimin e aksesit të fshatrave të qarkut Korçë drejt qendrave urbane.
Investimi u realizua me fonde të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, me një kosto rreth 1.4 milionë lekë me TVSH, por dëmtimet e shfaqura kanë vënë në pikëpyetje efektivitetin e projektit dhe domosdoshmërinë e kontrolleve më të rrepta teknike për punimet infrastrukturore në të ardhmen.

Rruga Press

