Lajme

Rruga Kardhiq-Delvinë/ KPP rrëzon ARRSH, të bëhet rivlerësim i operatorëve

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) pranoi pjesërisht ankimimin e paraqitur nga bashkimi i dy operatorëve ekonomikë lidhur me tenderin që kishte në objekt “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 8 (Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga loti 1 deri ne lotin 6)”.

Vetëm pak javë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) kishte shpallur fituese një tjetër kompani, ndërkohë që ankimuesit nuk ishin dakord me mënyrën sesi ishte bërë vlerësimi me pikë. KPP duke nënvizuar pranimin e pjesshëm të ankimimit ka kërkuar nga ARRSH të rivlerësojë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit, referuar konstatimeve të vendimit.

Fondi limit për procedurën në fjalë ishte caktuar në 281 milionë lekë, ndërkohë që fituesi është shpallur me një ofertë ekonomike prej 220 milionë lekësh. Oferta e dytë ishte në vlerën 253 milionë lekë, kurse e treta sipas pikëve të marra dhe që përkon me ankimuesit ishte 240 milionë lekë. Mbetet i paqartë ndikimi apo renditja e re e kompanive me rishikimin që nënvizoi KPP.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Teksa ky është tenderi më i fundit i mbyllur mbi segmentin Kardhiq-Delvinë, ARRSH ka ende të hapur një tjetër procedurë që lidhet me lotin 8 të rrugës dhe që ka të bëjë me mbrojtjen dhe rivitalizimin e skarparave.

Fondi limit për këtë procedurë është 1.44 miliardë lekë dhe mbyllja e tij për paraqitjen e ofertave është parashikuar në fund të këtij muaji. Qëllimi i projektit në fjalë është mbrojtja, rivitalizimi dhe stabilizimi i skarpateve në gërmime dhe në mbushje për rrugën e re nga Ura e Kardhiqit deri në Delvinë.

Lexo më shumë  Shënohet 27-vjetori i daljes së parë të UÇK-së, zbulohet memoriali në Llaushë

Për realizimin e këtij qëllimi, synohet një zgjidhje afatgjatë që të sigurojë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe peizazhin e gjithë shpateve të ndikuar nga hapja e rrugës.

“Rruga Kardhiq –Delvinë ka gjatësi 33 km, projekti i mbrojtjes do jetë vetëm nga kilometri 0 deri në kilometrin e 23-të, pasi vetëm kjo pjesë ka skarpata të larta dhe me rrezik nga rënia e materialit në trupin e rrugës, ndërsa pjesa tjetër nga kilometri 23-33, është zonë fushore dhe si rrjedhojë nuk kemi skarpata në gërmim”, thuhet në dokumentet e ARRSH.

Projekti për Kardhiq-Delvinë është në projekt i hershëm që ka vite që zvarritet. Aktualisht kanë përfunduar lotet 1,2,3 dhe 5. Sipas kontratës, rruga duhet të përfundojë në gusht të këtij viti./MONITOR

YouTube player