Rruga e pazakontë e vargjeve të Jimi Hendrixit: Dorëshkrimi bashkohet pas 55 vjetësh
Kitaristi legjendar ua kishte dhënë adhurueseve të tij nga një nënshkrim në një fletë të ndarë përgjysmë, shkëputur prej fletores së tij, në të cilën qenë shkruar vargjet e këngës e cila më vonë do të bëhej hit. Mbi pesë dekada më vonë, vargjet janë bashkuar dhe tash ky artefakt i kompletuar do të nxirret në shitje
Dy pjesë të vargjeve të rralla të shkruara me dorë e të nënshkruara nga kitaristi legjendar Jimi Hendrix janë bërë bashkë pas plot 55 vjetësh. Muzikanti amerikan ishte në fazën e parë të karrierës së tij kur, një natë, në shkurtin e vitit 1967, bendi i tij “Jimi Hendrix Experience” mbajti koncert në “Bath Pavilion” në Bath të Anglisë, duke zëvendësuar Chuck Berryn i cili kishte anuluar performancën.
Para koncertit, dy vajza kishin shkuar në prapaskenë për ta lutur Hendrixin për një autograf. Muzikanti kishte vendosur t’i takonte, por u kishe thënë se nuk kishte letër të pastër kur ato iu lutën t’ua jepte nga një nënshkrim. Në vend të kësaj shkëputi një fletë prej fletores së tij të shënimeve tek e shqeu në gjysmë. Nënshkrimet i dhanë edhe anëtarët e tjerë të grupit, Mitch Mitchell dhe Noel Redding.
Në rrugë për në shtëpi, vajzat i shikuan autografet që ia kishin dalë t’i merrnin, kur hetuan vargjet e shkruara me dorë të këngës me titull “51st Anniversary”.
Vetëm tri jave pas kësaj, kënga “51st Anniversary” zuri vend në anën B të hit-këngës së dytë të tij në top-listën britanike “Purple Haze”.
Dy vajzat më vonë u larguan prej njëra-tjetrës, sepse rrugët e tyre jetësore i çuan në drejtime të ndryshme, e bashkë me to u larguan edhe dy pjesët e vargjeve.
Vitin e kaluar njëra prej tyre iu drejtua rrjetit të shitjes së suvenireve të rock ‘n’ rollit, “Tracks Limited” me seli në Lancashire, me qëllim që t’i bëhej një vlerësim pjesës së saj të autografit. Me kërkesë të “Tracks Limited”, ia doli ta gjejë shoqen e saj në Bath, përkundër kontaktit të kufizuar në pesë dekadat e fundit. Edhe ajo kishte ruajtur pjesën e saj të faqes me vargje e autograf. Të dy gratë, që dëshirojnë të mbeten anonime, kanë pranuar t’i shesin gjysmat e tyre të dorëshkrimit të cilat sot vlerësohen me shuma pesëshifrore.
“Ka shumë pak dorëshkrime të Jimi Hendrixit, e edhe më pak aso që janë nënshkruar prej Jimit dhe dy anëtarëve të tjerë të grupit ‘Experience’”, ka thënë Paul Wane nga “Tracks Limited”, rrjet i cili së shpejti do ta nxjerrë në shitje këtë dorëshkrim të bashkuar pas plot 55 vjetësh. /DPA
Rruga Press