Rritet kriminaliteti në vend/ Prokurori i Përgjithshëm Çela pranon shtimin e procedimeve penale në 2024 në Shqipëri
Në fjalën e tij para Parlamentit, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela paraqiti një panoramë të gjerë të punës së organit të prokurorisë gjatë vitit 2024, duke evidentuar rritjen e numrit të procedimeve penale dhe të materialeve në shqyrtim. Çela theksoi se këto të dhëna reflektojnë si shtimin e ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale, ashtu edhe nevojën për forcimin e mekanizmave ligjorë e institucionalë për parandalimin e krimit.
Pjesë nga fjala e tij:
“Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61 167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47 576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24 956 janë procedime penale të regjistruara, 22 441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100 000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa më të lartën qarku Sarandë.
… Këto të dhëna evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit…
Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.”
Rruga Press

