Rriten kreditë me probleme, ndikoi kriza e rritjes së fortë të çmimeve
Kreditë me probleme u rritën lehtë përgjatë nëntorit të vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huatë me probleme arritën në 5.05% në fund të nëntorit, nga 5% që ishin në tetor të vitit që lamë pas.
Ky zgjerim i huave me probleme këtë periudhë vjen pas 5 muaj radhazi rënie të vazhdueshme. Ndërkohë, në krahasim me nëntorin e vitit 2021, raporti i kredive me probleme është ulur me gati 1.15%.
Megjithatë, duke marrë në konsideratë krizat dhe goditjet e njëpasnjëshme që është përballuar ekonomia shqiptare të paktën në tre vitet e fundit, dukshëm ky tregues është i qëndrueshme dhe rezulton të jetë në nivelet më të ulëta historike.
Raporti i kredive me probleme në fakt i rezistoi edhe krizës së pandemisë ku asokohe Banka Qendrore si përgjigje nga ana e saj ndërmori edhe një masë për ristrukturimin e kësteve të kredive.
Deri më tani duket se efektet e këtyre krizave që kanë prekur jo pak bizneset dhe buxhetet e familjeve shqiptare nuk janë reflektuar në sistemin bankar, por mbetet për t’u parë nëse do të materializohen përgjatë vitit 2023 nisur edhe nga pasiguritë e mëdha që po shoqërojnë ekonominë.
Kjo duke marrë në konsideratë edhe rritjen e normave të interesit, por edhe presionet inflacioniste me rritjen masive të çmimeve, që edhe pse kanë shfaqur ngadalësim vijojnë të qëndrojnë të larta.
Rruga Press