Lajme

Rrëfimi i doktorit për Enver Zymberin: Tetë herë e kthyem në jetë, por plagët ishin të rënda

12 vjet nga vrasja e policit elitë të Kosovës, në aksionin e famshëm në veri të Kosovës, për herë të parë ka rrëfyer mjeku i cili e ka trajtuar Enver Zymberin pak minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

Doktori Nuredin Fazliu ka treguar se plumbi nga snajperi i kishte shkaktuar plagë të rënda heroit Zymberi, të cilat më pas ia sollën edhe vdekjen.

Fazliu thotë se gjatë intervenimit, Zymberin për tetë herë e kishin rikthyer në jetë.

“Tetë herë e ka lëshu zemra, do të thotë ka ra në arrest shtëpiak, tetë herë e kemi reanimu,” tregon doktori, i cili punoi për disa dekada si anesteziolog, mirëpo 26 korrikun e vitit 2011 nuk e harron asjëherë.

Fazliu atë ditë kishte marrë pjesë në trajtimin e policit Enver Zymberi, pak minuta pasi polici i njësisë speciale tashmë i ndjerë ishte goditur nga një plumb snajperi.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Ai kujton se plagët ishin shumë të rënda.

“Plumbi ka qenë diku në anën e majtë prej këtij ashtit të mollëzës së faqes, në drejtim të kurrizit të qafës. I ka goditë unazën 2 dhe 3, duke shkuar duke depërtuar nëpër gojë. Gjuha ka qenë praktikisht thuja e këputur, aty pastaj kanë punuar këta kolegët e kemi intubuar, e kemi reanimuar,” ka thënë ai.

Fazliu, tash doktor në pension, rrëfen se bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë policin elitë të Kosovës.

“Kthimi në jetë me rregullat e reanimacionit që janë aktuale në gjithë botën, dy, maksimum tri herë, nuk ka logjikë për të bërë kthim në jetë… Në këtë rast tetë herë e kam reanimu, tetë herë e kam kthyer në jetë, herën e tetë e ka mbajtë më deri ka shku në Prishtinë, ekipa e kanë marrë e kanë dërgu për andej,” shtoi Fazliu.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Bashkë me të, ai thekson se punuan edhe shumë mjekë të tjerë.

“Edhe sot i falënderoj kolegët doktor Naser Jasharin, ortopedin Afrim Gucatin e të tjerë kolegë që mu kanë gjendur në ndihmë.”

Pas kthimit tetë herë në jetë, polici Enver Zymberi me helikopter të KFOR-it ishte transferuar në QKUK, mirëpo, brenda pak orësh ishte kumtuar lajmi i rëndë.

“Të gjithë kemi qenë shumë të pikëlluar, shumë të pikëlluar, por kemi qenë krenar se ai aksion nuk u bë për shaka,” u shpreh Fazliu.

Për punën e bërë, Fazliu me kolegë u nderuan më pas me mirënjohje nga Policia e Kosovës, fotografinë e reanimacionit, Fazliu vazhdon ta ruajë me kujdes në shtëpinë e tij.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *