Roli i Veliajt në grabitjen e festivalit të Dua Lipës nga Prishtina
Festivali i njohur, “Sunny Hill”, nuk do të mbahet në Prishtinë dhe pas kësaj ngjarjeje në dukje kulturore, fshihet një betejë e vërtetë politike ku është përfshirë Erion Veliaj për ta transferuar këtë aktivitet të madh në Tiranë.
Vetë Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, njoftoi se “Sunny Hill”-i do të mbahet këtë gusht në në kryeqytetin shqiptar.
Dukagjin Lipa ka bërë të ditur se, pas injorimit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe këshilltarëve bashkiakë të Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, ka vendosur që ta zhvendosë festivalin në Tiranë. “Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, shkroi i ati i Dua Lipës.
Komuna e Prishtinës kishte rënë dakord më herët që t’ia japë kompanisë private “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet. Por procedurat janë zvarritur më tej në qeveri. Përfaqësuesit e Vetëvendosjes nuk kanë qenë dakort për një koncension për një periudhë aq të gjatë për Sunny Hill.
Propozimet për ta ulur periudhën në 15 apo 20 vjet janë refuzuar nga organizatorët, që kanë gjetur në Tiranë një alternativë më të mirë dhe më të përshtatshme për festivalin.
Por, historia nuk duket se është kaq horizontale, sepse përpos mosarritjes së një marrëveshje shumë avantazhuese për organizatorët, familja Lipa është joshur me të gjitha mundësitë edhe nga pushtetarët më të lartë në Tiranë që u munduan ta grabisnin me çdo çmim festivalin. Që më 12 qershor 2021, atëherë kur ende nuk dihej fati i kontratës për marrjen e 17 hektarëve Erion Veliaj, njoftoi në mediat e veta sociale, përkrah një fotoje me prindrit e Dua Lipës se mes tyre po gatuhej diçka.
Pra i lidhur me atë që ndodhi sot mesazhi është i qartë.
Por mediat kritike me qeverinë e Prishtinës që duan të fajësojnë me çdo kusht Vetëvendosjen se s’parnoi ti jepte ato 17 hektarë duke e larguar festivalin, kanë një version tjetër. Sipas tyre faji qëndron në Kosovë dhe jo në manipulimet e kryebashkiakut të Tiranës.
Ato pretendojnë se e vërteta e fotografisë s’ka lidhje me”Sunny Hill”, siç po tentohet të përdoret, por me organizimin e një eventi, meqë Tirana është zgjedhur “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022. Askund nuk theksohet se “Sunny Hill”-i është ‘gatuar’ më parë që të shkojë në Tiranë e të mos mbahet në Prishtinë, këmbëngulin kritikët.
Por në fakt e vërteta nuk është kaq e thjeshtë. Për këtë qëllim duket se është përfshirë edhe kryeministri Rama, i cili kaloi në korrik 2021 një ditë pushime me Duan dhe familjen e saj dhe i ftoi në vilën e tij në Dhërmi.
Po të hapësh arkivat shikon se Dukagjin Lipa, i cili pas këtij takimi e konsideronte Ramën mik, fliste që atëhere për zhvendosjen e festivalit në Tiranë. Ai pati deklaruar në një intervistë me Adi Krastën: «Për vitin 2021, do të bëjmë tri ditë në Kosovë dhe dy ose tri net do t’i bëjmë në Shqipëri. Do ta vazhdojmë festivalin edhe në bregdet. Shpresojmë të kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare. Qëllimi kryesor është promovimi i vendit»
Me sa duket mbështetja e dëshiruar erdhi me e shpejtë në një vend ku është shumë e thjeshtë që edhe aktorë humoristë si Gaz Paja të shpallen investitorë strategjikë. Ndërkohë që në Prishtinë skrupuloziteti i Vetëvendosjes rrekej të kuptonte nëse ishte e drejtë të jepeshin 17 ha tokë publike për 99 vjet, në lojë ka hyrë Veliaj, me joshjet e tij proverbiale. Dhe tani u shpall ajo që ishte ‘gatuar” prej më shumë se një viti.
Në betejën politike që po thellohet mes Tiranës dhe Prishtinës politikanët e anës tonë kanë dëshmuar edhe një herë se janë më të shkathët dhe më të aftë për të grabitur atë që i takon tjetrit. Menjëherë sapo lajmi u bë publik vetë kryeministri Rama, i angazhuar në një duel të gjatë me Albin Kurtin, nxitoi të shkruante në facebook se “Sunny Hill” po vjen në Tiranë dhe se në muajin gusht Dua Lipa dhe të ftuarit e tjerë do t’i ndriçojnë netët e Tiranës./Lapsi.al
Rruga Press