Rohde i kritikon, a do të koordinohen AAK dhe PDK për marrëveshjet ndërkombëtare?
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga partitë opozitare, të cilat nuk po marrin pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, që ta ndërpresin këtë dhe t’i japin fund bllokadës.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, të njohur më parë si Twitter, Rohde ka thënë se të gjithë akterët duhet të kenë qasje konstruktive në këtë drejtim.
Ai ka thënë se është i shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të këtyre marrëveshjeve, që sipas tij sjellin miliona euro përfitime për qytetarët.
“Të shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend që mund të sjellin miliona përfitime për qytetarët e Kosovës. Projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore midis Gjermanisë dhe Kosovës janë në rrezik. Duhet një qasje konstruktive nga të gjithë akterët, opozita duhet t’i japë fund bllokadës”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se nga kjo përjashtohet LDK-ja e cila është deklaruar pro votimit të tyre.
“LDK-ja nuk është pjesë e qasjes bllokuese të opozitës të cilën e kam përmendur”, ka shkruar ai në një postim sqarues të statusit të parë.
Rruga Press