Lajme

Rimëkëmbja e kërkesës dhe rritja e çmimeve zgjeron deficitin tregtar në Shqipëri

Eksportet shqiptare shënuan ritme të larta të rritjes edhe gjatë muajit shtator. Mbështetur në të dhënat e Instat, eksportet arritën vlerën e 33 miliardë lekëve, me një rritje prej 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bilanci i deritanishëm vjetor ngelet dukshëm pozitiv. Për nëntë muajt e parë të vitit, eksportet arritën vlerën e 266 miliardë lekëve. Kjo shifër përfaqëson një rritje me 36.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe 18.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Këto të dhëna tregojnë se këtë vit eksportet kanë arritur në mënyrë të qëndrueshme nivelet e para pandemisë.

Për shtatorin, kontributin kryesor në rritjen e eksporteve në vlerë e dhanë grupet “Materiale ndërtimi e metale”, me 15.1% dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji” me 10.6%. Kontributi në rritje i këtyre grupmallrave lidhet edhe rritjen e çmimeve të lëndëve të para, që duket se është një faktor që po nxit rritjen e eksporteve gjatë këtij viti. Këto dy grupe regjistrojnë edhe ritmet më të shpejta të rritjes për 9-mujorin e parë, përkatësisht me 97% për grupin “Materiale ndërtimi e metale” dhe 80% për grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji”.

Lexo më shumë  Përurohet aparatura moderne për fertilizimin e asistuar në QKUK

Falë rritjes së shpejtë të këtij viti, këto dy grupe e kanë rritur ndjeshëm peshën e tyre specifike në strukturën e eksporteve shqiptare, që sidoqoftë ende dominohet nga grupi “tekstile dhe këpucë”. Për 9-mujorin 2021, eksportet e këtij grupi kishin vlerën e 82 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej afërsisht 9%. Ky grup përbën 31% të eksporteve totale të vendit, por kjo peshë është ndjeshëm më e ulët me një vit më parë, kur ato përbënin më shumë se 38%.

Megjithëse eksportet po rriten me ritme të larta, të njëjtën gjë po bëjnë edhe importet. Për shtatorin, Shqipëria importoi 69 miliardë lekë mallra, me një rritje vjetore prej 31.6%. Kontributin kryesor në rritje e dha grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me 12.9%, i ndjekur nga “Ushqime, pije, duhan me 5%” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 4.1%.

Për 9-mujorin, importet e mallrave rezultojnë në rritje me 29.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 17.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Për 9-mujorin 2021, grupi me nivelin më të lartë të rritje së importeve është sërish “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 51% më shumë se një vit më parë, i ndjekur nga “Materiale ndërtimi e metale” dhe Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me afërsisht 37% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe shkalla e rritjes së importeve duket se po ndikohet ndjeshëm nga vala e rritjes së çmimeve, përveçse nga përmirësimi gradual i kërkesës së brendshme dhe konsumit.

Lexo më shumë  Kurteshi: Lista Serbe ka qenë plotësisht e përfshirë si strofull e organizatave terroriste

Rritja e shpejtë e importeve po jep një efekt të dukshëm në zgjerimin e deficitit tregtar të vendit. Për muajin shtator, deficiti tregtar u rrit me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 9-mujorin 2021, deficiti tregtar rezultoi në vlerën e 290 miliardë lekëve ose pothuajse 2.4 miliardë eurove, në rritje me 23.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rimëkëmbja e ekonomisë nga pandemia dhe rritja e çmimeve deri tani po japin një efekt neto negative në bilancin e tregtisë së jashtme, me një rritje të ndjeshme të deficitit tregtar të vendit. /monitor.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *