Rifillojnë bisedimet mes fuqive botërore dhe Iranit për marrëveshjen bërthamore
Fuqitë botërore dhe Irani do të mblidhen në Vjenë të hënën në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e tyre bërthamore të vitit 2015, por me Teheranin që vazhdon të jetë pas qëndrimeve të ashpër që kishte dhe fuqitë perëndimore gjithnjë e më të frustruara, shpresat për progres duken të pakta.
Diplomatët thonë se koha po mbaron për të ringjallur paktin, i cili u braktis nga presidenti amerikan Donald Trump në vitin 2018, duke zemëruar Iranin dhe duke trembur fuqitë e tjera të përfshira – Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Gjashtë raunde bisedimesh indirekte u mbajtën midis prillit dhe qershorit. Raundi i ri fillon pas një ndërprerjeje të shkaktuar nga zgjedhja e presidentit të ri iranian, Ebrahim Raisi, një klerik i linjës së ashpër.
Ekipi i ri negociator i Teheranit ka paraqitur kërkesa që diplomatët amerikanë dhe evropianë i konsiderojnë jorealiste, thonë diplomatët perëndimorë.
Ato përfshijnë këmbënguljen që të hiqen të gjitha sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosura që nga viti 2017, përfshirë ato që nuk kanë lidhje me programin bërthamor të Iranit.
Paralelisht, konfliktet e Teheranit me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, i cili monitoron programin bërthamor, janë acaruar.
Irani ka ecur përpara me programin e tij të pasurimit të uraniumit dhe IAEA thotë se inspektorët e tij nuk janë trajtuar mirë dhe i është refuzuar aksesi për të riinstaluar kamerat e monitorimit në një vend që e konsideron thelbësor për ringjalljen e marrëveshjes.
“Nëse Irani mendon se mund ta përdorë këtë kohë për të ndërtuar më shumë levë dhe pastaj të kthehet dhe të thotë se duan diçka më të mirë, thjesht nuk do të funksionojë. Ne dhe partnerët tanë nuk do ta bëjmë atë”, tha i dërguari i SHBA-së Robert Malley.
Ai paralajmëroi se Uashingtoni do të ishte gati të rrisë presionin mbi Teheranin nëse bisedimet dështojnë.
Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur në prag të së hënës se fokusi i tyre është thjesht heqja e sanksioneve dhe jo çështjet bërthamore. Duke theksuar këtë, delegacioni i tij prej 40 vetash ka kryesisht zyrtarë ekonomikë.
Diplomatët kanë thënë se Uashingtoni ka sugjeruar negocimin e një marrëveshjeje të përkohshme të hapur me Teheranin për sa kohë që nuk arrihet një marrëveshje e përhershme.
Dështimi për të arritur një marrëveshje mund të shkaktojë gjithashtu reagim nga Izraeli, i cili ka thënë se opsionet ushtarake do të jenë në tryezë.
Rruga Press