Republika e Ramushit: Çdo shtëpi një gjykatë, çdo truall një akuzë!
Shkruan Kimete Berisha
Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së, invalidi i luftës që ngjitet majë më majë…dhe milioneri i vetëshpallur, ka pasuri që duket si një mini shtet privat.
Pasuria e tij është më shumë se ekonomi: është një sistem akuzash dhe teorish:
1. Shtëpia 950 m²:
Është qendra e strategjisë.
Dhomat janë pa zërim, perdet janë të rënda, kadife, dhe lejohet hyrja vetëm me papuçe.
Në të gjitha dhomat dëgjohet një e njëjta muzikë pa tekst, që lehtëson pëshpëritjet në vesh.
Këtu ndodhet edhe selia e “fakteve magjike”, ku çdo lëvizje e qytetarit bëhet provë për spiunim.
2. Shtëpia 800 m²:
Është baza rezervë e komandantit.
Aty është Depoja e spiunëve imagjinarë.
Çdo derë që hapet, nxjerr një teori të re për Albin Kurtin.
Në çdo skaj është një mikroskop magjik që regjistron ‘serbizimin’ në ajër.
Këtu nuk lejohet fjala me gojë, komunikohet veç me shkrim, dhe në përdhesë ndodhet një shpajz pa dritare, për kalljen e fjalëve të shkruara në bllok.
3. Toka 2,000,000 m²:
Është territori i pafund i UÇK-së.
Aty ndodhet Laboratori kryesor i strategjisë, dhe zhvillohen takimet për “integrimin e Serbisë” në akuza kundër shqiptarëve.
Aty…gjashtë futbollistë mund të luajnë me top, pa e gjetur fundin…
Çdo top që humbet regjistrohet si korrupsion.
Aty ndodhet edhe një shupë, e quajtur ‘shupa e mallkimit’.
Në shupë, tri plaka, njëra thuhet nga Tropoja, që aktivizohen vetëm kur propaganda dështon.
4. Truall 344 m²:
Zona taktike për Bankën Qëndrore të gjykimeve.
Në katin e dytë gjendet Zona e gjykimeve të nxehta;
në katin e tretë gjendet dhoma e gjykimeve të ftohta; në bodrum dhoma e gjykimeve të pafundme.
Secili metër katror është i mbushur me mbishkrime frymëzuese, si për shembull: ‘Ajo që është e imja, është edhe e jotja’.
‘Në atë botë asgjë nuk merr me vete përveç sekretet e CIA-s’,
si dhe ‘E vërteta është luks’, që përdoret si moto.
Aty… Lejohet vetëm një lopë, si dëshmitare e përjetshme e takimeve sekrete….
5. Shtëpia 500 m²:
Shërben për vizitat e papritura të qytetarëve.
Dritat në atë shtëpi fikën në orën tre të natës, si pjesë e një rituali misterioz.
Aty ndodhet edhe Biblioteka e ekspertëve të shpikur; librat nuk lexohen, por shërbejnë për të justifikuar pasuritë.
6. Shtëpia 623 m²:
Këtu ndodhet laboratori për akuza të shpejta dhe Stacioni i kontrollit, ku çdo kritikë regjistrohet automatikisht si “spiunim”.
Çdo hap në oborr aktivizon sistemin që lëshon akuza automatikisht.
Në verandë qëndron një papagall i verdhë me kokë të kaltër, që përsërit pafund: ‘Albin Serbia’.
7. Vila 405 m²:
Në këtë vilë ndodhet Qendra e mendimeve të larta dhe selia e ambasadorëve.
Aty jepen çmime për çdo deklaratë kundër Kurtit, pa nevojë për punë.
Pasqyrat reflektojnë milionat, dhe varfëria konsiderohet krim.
Parafund:
Republika e Kosovës i ka 120 deputetë.
Republika e Ramushit i ka mbi 120 dhoma.
Në Kosovë, qytetarët presin me vite për një vendim gjykate.
Në Republikën e Ramushit, çdo derë e shtëpisë hap një gjykim të ri.
Fund teatror
Perdet kadife mbyllen.
Papagalli i verdhë përsërit edhe një herë: “Albin Serbia!”.
Në sallë mbetet vetëm heshtja e varfanjakëve dhe jehona e një shteti privat që duket më i madh se Republika.
Publiku qesh…sepse s’ka lot të qajë.
Fund politik
Ramushi ka pasuri milionëshe: ka shumë shtëpi, toka e vila.
Në Kosovë, drejtësia nuk banon në asnjë nga ato shtëpi, ajo jeton me qira, bashkë me popullin.
Rruga Press

