Lajme

Reportazhi i gazetës britanike ‘The Mirror’: Shqiptarët ikin nga varfëria

Kërcënimet e kryeministrit Rishi Sunak “Stop varkave” shkaktuan një efekt “o tani o kurrë” të të rinjve shqiptarë që të bënin udhëtimin e rrezikshëm nëpër kanalit të La Manshit. Bandat kriminale thuhet se kanë rritur presionet mbi të rinjtë për të zbarkuar në Mbretërinë e Bashkuar përpara se ligji të hyjë në fuqi. Madje ata përdorën edhe vdekjen e Mbretëreshës apo dorëheqjen e Boris Johnson për t’u ofruar të rinjve oferta speciale që sipas tyre vijnë “një herë në jetë” për të kaluar kanalin. Ata premtonin se udhëtimi do të ishte më i sigurt pasi politikanët në Mbretërinë e Bashkuar ishin të hutuar nga ngjarjet e mëdha në vendin e tyre.

Dr. Krish Kandiah i “Fondacionit Sanctuary” vizitoi Shqipërinë javën e kaluar në një “mision faktmbledhës” për të kërkuar gjetjen e mënyrave për të dekurajuar të rinjtë që të mos bëjnë udhëtimin e rrezikshëm.

Ai paralajmëroi se shumë të rinj do të vijojnë të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm nëse nuk bëhet më shumë për të hapur rrugët ligjore dhe për të ulur varfërinë në vend. Sipas tij, duhen gjetur mënyra për të ndihmuar pjesët më të varfra të vendit, kështu që të rinjtë “do të shohin aty një të ardhme për veten e tyre”. Dr. Kandiah thotë se varfëria ishte një “faktor shtytës” i madh që qëndron pas largimit të të rinjve nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kur isha për herë të fundit në Shqipëri në vitet 1990, ai ishte zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë me më shumë njerëz që udhëtonin me kuaj dhe karroca sesa me makina. Megjithatë, teksa qytetet janë modernizuar shpejt, ka pjesë të vendit që janë lënë pas nga zhvillimi”, tha ai. Ai paralajmëroi se një faktor tjetër shtytës për shqiptarët ishte për ironi edhe “kërcënimi i Britanisë për të ndaluar varkat e vogla”.

“Ashtu si biseda për mungesën e letrës së tualetit në pandemi shkaktoi një nxitim në supermarkete, ashtu edhe disa të rinj shqiptarë e ndiejnë presionin “tani ose kurrë”. Bandat po përfitojnë nga kjo, duke bërë oferta speciale, duke sugjeruar se vdekja e Mbretëreshës ose dorëheqja e Boris Johnson ofronte një mundësi një herë në jetë për një kalim më të sigurt”, tha ai.

Duke intervistuar një grup prej 9 të rinjsh në Kamëz, një qytet pranë kryeqytetit të Tiranës, Dr. Kandiah zbuloi se të gjithë ata kishin një anëtar të ngushtë të familjes që kishte udhëtuar në Angli me një varkë të vogël. “Ata kishin shkuar për “para të shpejta”. Shumica kishin shkuar për të punuar në ekonominë gri në lavazhe dhe industrinë e ndërtimit”, tha ai.

Dr. Kandiah i tha gazetës së bandat kriminale janë të afta në mediat sociale, duke tunduar të rinjtë të bëjnë kalimin me premtimin e stilit të jetesës luksoze dhe makinave të shpejta. Rreth 12 301 njerëz nga Shqipëria erdhën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla përgjatë kanalit vitin e kaluar, sipas shifrave të qeverisë. Nga mijëra që kanë hyrë në sistemin e referimit të qeverisë, 90% janë gjetur të kenë “arsye të pranueshme” se ata ishin viktima të skllavërisë moderne.

Lexo më shumë  Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë

Dr. Kandiah tha se faktorët që inkurajonin të rinjtë të largoheshin ishin “dekadat e zhvillimit”, por tha se ata kishin një zgjidhje.

“Financimi i ndihmës së Mbretërisë së Bashkuar ka filluar tashmë për të trajtuar disa nga pabarazitë në Shqipëri. Por, më e rëndësishmja janë rrugët e sigurta ligjore që mund t’u ofrohen të rinjve shqiptarë për të lehtësuar mungesën e krahut të punës në disa nga zonat tona, pa pasur nevojë të rrezikojnë të mbyten në Kanalin Anglez ose të kapen duke kultivuar kanabis”, shton ai.

Ervini, një student 22-vjeçar thotë se ëndrra e tij ishte të bëhej menaxher hoteli. Ai u tha grupit të faktmbledhësve britanikë se të rinjtë “duan të fitojnë para shpejt”. Por ai tha se nuk do ta bënte vetë kalimin sepse nuk është “i interesuar për paratë”, duke shtuar: “Historia ka treguar se këto lloj parash vijnë me shumë vështirësi”.

“Jeta është e vështirë kudo dhe nuk jemi të vetmit që kemi ikur. Është e vështirë, prandaj ne duhet të ndjekim procedurën e duhur në vend që të rrezikojmë kalimin ilegal”, thotë Ervini.

Pse ikin shqiptarët?

(Raporti i Dr. Krish Kandiah)

Det kristal i pastër, pamje malore të lënë pa frymë, vende historike magjepsëse, ushqime të shijshme dhe njerëz miqësorë e mikpritës. Të gjitha kushtojnë sa një fraksion i kostos së pjesës tjetër të Evropës. Teksa shumë pushues po shkojnë drejt Shqipërisë, mijëra të rinj shqiptarë po vijnë në drejtim të kundërt. Shumë prej tyre përmes kalimeve të rrezikshme me varka të vogla.

Pse? Nuk ka luftë në Shqipëri, nuk ka persekutim të minoriteteve të sponsorizuara nga shteti, nuk ka shkelje të theksuara të të drejtave të njeriut. Megjithatë vitin e kaluar mbi 12 mijë shqiptarë rrezikuan jetën e tyre për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm drejt Britanisë së Madhe, një rritje në krahasim me vitin e kaluar prej 1500%.

Doja të zbuloja se çfarë po e shtynte eksodin e të rinjve shqiptarë. Pse kaq shumë po kriminalizoheshin teksa udhëtonin nëpër Evropë dhe nëse mund të bëhej diçka për ta ndaluar këtë. Misioni im faktmbledhës në Shqipëri zbuloi 3 faktorë kryesorë shtytës dhe 3 faktorë kryesorë tërheqës.

Faktori i parë shtytës që hasa ishte varfëria ekonomike. Kur isha për herë të fundit në Shqipëri në vitet 1990, ishte zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë me më shumë njerëz që udhëtonin me kuaj dhe karroca sesa me makina. Megjithatë teksa disa qytet janë modernizuar shpejt, ka pjesë të vendit që janë lënë pas nga zhvillimi. Rritjet globale të çmimeve e kanë bërë ndarjen edhe më të theksuar, duke lënë shumë familje më të varfra dhe më të dëshpëruara se kurrë më parë.

Faktori i dytë shtytës është varfëria e mundësive. Një klasë me nxënës të vitit të 9-të në një fshat në Kamëz, më shpjegoi avantazhet relative të varkave të vogla në krahasim me kamionët. Si ata mund të fitonin dy herë më shumë në një kantier ndërtimi në Mbretërinë e Bashkuar se çdo punë që mund të imagjinonin të merrnin në Shqipëri. “Nuk ka asgjë këtu për ne” – thanë ata.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Faktori i tretë i shtytjes është “efekti i kërpudhave”. Sa më shumë shqiptarë që largohen, aq më shumë i ndjekin. Në këtë epokë të migrimit global, shumica e shqiptarëve largohen përmes rrugëve legale. Ata që janë me arsim të lartë dhe të aftë, shfrytëzojnë mundësitë për të studiuar ose punuar jashtë shtetit. Mjekët janë kapur në Gjermani. Financierët janë joshur në Amerikë. Me këtë eksod kombëtar, të rinjtë shqiptarë pa rrugë legale luajnë bixhoz me jetën për t’u kontrabanduar në Angli, për të punuar në ekonominë gri, për shembull duke punuar me para në dorë në një lavazh makinash.

Faktorët e tërheqjes janë po aq të fortë. E para dhe më e dukshme është tërheqja nga bandat e organizuara kriminale që përfitojnë nga pabarazitë në rritje në Shqipëri dhe zhgënjimet. Ata ofrojnë aspiratë për ata që jetojnë pa shpresë dhe mundësi, duke premtuar kalime të lira dhe të lehta nga Calais. Kostoja e parë prej 3000 £ mund të paguhet pas mbërritjes përmes punës, u thonë ata. Ata nuk u thonë atyre se mund të përfundojnë duke punuar në shtëpitë e kultivimit të kanabisit, me rrezik të lartë për t’u kapur dhe burgosur.

Faktori i dytë tërheqës është reputacioni i Britanisë. Shqiptarët kanë dëgjuar se atje ka mungesë të fuqisë punëtore, për shembull në sektorin e ndërtimit. Ata kanë përshtypjen se Britania, me kryeministrin e saj aziatik dhe sekretarin e brendshëm është më pak raciste se vendet e tjera evropiane. Çdo ditë ata shohin rolin e jashtëzakonshëm që luan Mbretëria e Bashkuar në industrinë e muzikës, televizionit dhe filmit. Reputacioni ynë i fortë për demokracinë, lirinë dhe drejtësinë duket se i kapërcen titujt kundër emigracionit.

Faktori i tretë tërheqës është, për ironi, kërcënimet e Britanisë për të ndaluar varkat e vogla. Ashtu si biseda për mungesën e letrës së tualetit në pandemi shkaktoi një nxitim në supermarkete, ashtu edhe disa të rinj shqiptarë e ndjejnë presionin “tani ose kurrë”. Bandat po përfitojnë nga kjo, duke bërë oferta speciale, duke sugjeruar se vdekja e Mbretëreshës ose dorëheqja e Boris Johnson ofron një mundësi një herë në jetë për një kalim më të sigurt.

Të gjithë këta faktorë janë krijuar për dekada. Ata kanë nevojë për punë serioze dhe investime. Ka zgjidhje. Financimi i UKAID-it tashmë ka filluar të trajtojë disa nga pabarazitë në Shqipëri. Por, më e rëndësishmja janë rrugët e sigurta dhe ligjore që mund t’u ofrohen të rinjve shqiptarë për të lehtësuar mungesën e krahut të punës në disa nga zonat tona pa qenë nevoja që së pari të rrezikojnë të mbyten në Kanalin Anglez ose të kapen duke kultivuar kanabis./Marrë nga The Mirror, përshtati në shqip LAPSI.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *