Reperi iranian që protestoi për Mahsa Aminin përballet me ekzekutim
Tre javë pasi u arrestua dhunshëm në shtëpinë e tij nga forcat e sigurisë së Iranit, Saman Yasin, një artist dhe reper i ri kurd, po përballet me ekzekutim. Ai është akuzuar për luftë kundër Zotit pasi postoi në rrjetet sociale mbështetjen e tij për protestuesit kundër regjimit.
Fati i tij, i cili do të vendoset në ditët në vijim nga gjykatat iraniane, mund të jetë edhe i mijëra protestuesve të tjerë të rinj që mbahen në paraburgim, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se regjimi mund të nisë një fushatë të përgjakshme hakmarrjeje në një përpjekje për të shuar vazhdimin e protestave, raportoi The Guardian.
Sipas OKB-së, rreth 14,000 njerëz, përfshirë fëmijë, janë arrestuar nga regjimi që nga fillimi i protestave më shumë se tetë javë më parë, pasi 22-vjeçaren Mahsa Amini vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit.
“Autoritetet iraniane kanë njoftuar në fillim të kësaj jave se do të mbajnë gjyqe publike për mbi 1,000 persona të arrestuar në Teheran dhe një numër të ngjashëm jashtë kryeqytetit… Akuzat kundër këtyre personave do të përfshijnë akuza… me dënim me vdekje. Në mungesë të ndonjë kanali vendas të llogaridhënies, unë do të theksoja rëndësinë e rolit dhe përgjegjësisë së komunitetit ndërkombëtar në trajtimin e mosndëshkimit për shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran”, ka thënë raportuesi special për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, Javaid Rehman.
Organizata Hengaw për të Drejtat e Njeriut tha se të burgosurit e profilit të lartë si Yasin mund të përdoren nga regjimi iranian që të tentojë të tmerrojë ata që vazhdojnë të protestojnë.
Yasin, një artist dhe reper i njohur, ka qenë një kritik i zëshëm i regjimit. Ai ka shkruar mesazhe në mbështetje të protestuesve në kanalet e tij në rrjetet sociale dhe ka shkruar disa këngë proteste.
“Ne e dimë se qeveria vret me lehtësi njerëz dhe i dënon drejtpërdrejt të arrestuarit me vdekje”, tha Soma Rostami nga Hengaw. “Saman Yasin është në rrezik serioz dhe ne duhet të jemi zëri i tij”.
Organizata të tjera të të drejtave të njeriut thonë se autoritetet janë përpjekur t’ia mbyllin gojën familjes së Yasinit, e cila nuk është dëgjuar që kur ai u akuzua për “moharabeh” (armiqësi kundër Zotit) në fillim të kësaj jave.
Rruga Press