Uncategorized

Rënia e grupit socialist të Durrësit

Ndërsa mandati qeverisës i dalë nga zgjedhjet e vitit 2021 po i afrohet fundit, tre nga tetë kandidatët fitues të Partisë Socialiste janë dy në burg dhe një i dorëhequr. Historitë e këtyre deputetëve nxjerrin në sipërfaqe penetrimin masiv të krimit të organizuar në radhët e partisë në pushtet.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Durrësi ishte një nga qarqet që kontribuoi në fitoren e mandatit të tretë qeverisës të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, një palë zgjedhje në të cilat tashmë është e qartë që struktura të krimit të organizuar patën rol domethënës, e ndoshta, vendimtar në disa zona për garantimin e fitores.

Socialistët fituan 50% të votave në Qarkun Durrës ose 77 mijë, duke rrëmbyer tetë mandate pasi votat e opozitës u ndanë mes PD dhe LSI ndërsa LSI nuk arriti të marrë një mandat për shkak se mori 136 vota më pak nga sa nevojiteshin.

Por ndërsa socialistët fituan zgjedhjet, si falë numrit të votave ashtu edhe rastësisë së shkaktuar nga formula D-Hondt që përdoret për ndarjen e mandateve, telashet e tyre filluan menjëherë pas fitores. Akoma pa marrë mandatin, Lefter Koka, një politikan vendor të cilin PS e mori nga LSI, dha dorëheqjen në shtator të vitit 2021 pa dhënë shpjegime për shkaqet. Në deklaratën e dorëheqjes, Koka la të kuptohet gjithashtu se ai po tërhiqej nga politika.

Lexo më shumë  Ministrja Hajdari thotë se janë tenderuar 10. 3 milionë euro për parqet industriale

Shqiptarët votuan në zgjedhjet e vitit 2021 me lista thuajse të mbyllura të partive, por Edi Rama, në ndryshimet që i bëri Kodit Zgjedhor në vitin 2020, i dha mundësinë votuesve të jepnin edhe një “votë pëlqyese” për kandidatin për deputet. Koka kontribuoi fort në fitoren e socialistëve në Durrës pasi mori në ato zgjedhje 9,600 vota pëlqyese ose 15% të të gjitha votave të socialistëve. Dhe Koka ishte i pari që u rrëzua. Në dhjetor të atij viti, ai u arrestua nga SPAK nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai është dënuar dy herë për incineratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Çështja e tij vijon të shqyrtohet në Apel.

Rrahman Rraja, deputeti nga zona e Fushë-Krujës, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 mori gati 7800 vota pëlqyese ose 12%, u dorëhoq dhe u tërhoq nga politika në gusht 2023. Arsyeja e dorëheqjes së tij lidhej me publikimin e një video ku të afërm të tij, përfshirë edhe të birin, rrahën në mënyrë barbare dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte që ata ishin ankuar në komisariatin e policisë për shpërthimet që po kryheshin në një gurore dhe që po i dëmtonin shtëpitë. Mes dhunuesve ishte i biri i deputetit, Rexhep Rraja, dhe i vëllai, Xhelaj Rraja. I vëllai u arrestua së fundmi si pjesë e dosjes së shtatë bandave, i akuzuar se në aleancë me Durim Bamin planifikoi vrasjen e Arben Ndokës, një ish-deputet tjetër socialist.

Lexo më shumë  Ministrja Hajdari thotë se janë tenderuar 10. 3 milionë euro për parqet industriale

Së fundmi, arrestimi i Jurgis Çyrbjes duket se do të rëndojë mbi socialistët më gjatë. Karriera e Çyrbjes ka nisur si drejtor hipoteke në Durrës në vitin 2013 kur ishte 28 vjeç. Ai u bë katër vjet më vonë deputet në listat e Partisë Socialiste dhe u konfirmua më 2021, kur fitoi gati 6600 vota. Njoftimi i prokurorisë për arrestimin e tij për tre akuza, e portretizon Çyrbjen si një njeri që kryente ndërmjetësin mes strukturave të paidentifikuara shtetërore dhe grupeve kriminale për të trafikuar informacion sekret mbi planet policore për operacione dhe për arrestime te krimi. Prokuroria veçon marrëdhënien e tij me Altin Hajrin, pronari i një kompleksi dasmash në Shijak në të cilin, në vitin 2020 humbi jetën Jan Prenga. Sipas prokurorisë, Çyrbja ka ndihmuar Hajrin t’i shpëtojë drejtësisë, duke ndërhyrë në agjenci ligjzbatuese ndërsa ka kryer korrupsion aktiv në zgjedhje në lidhje me të. Hajri nga ana e tij i ka siguruar atij votues.

Në total, Koka, Rraja dhe Çyrbja morën bashkërisht në zgjedhjet e vitit 2021 24 mijë vota ose 38% të të gjithë votave të Partisë Socialiste në qarkun Durrës./BIRN

YouTube player