RENEA “blindon” Elbasanin, në kërkim të personave të shpallur në kërkim në operacionin “Plumbi i Artë”
RENEA dhe forcat e policisë janë rikthyer sërish në Elbasan, duke vijuar kontrollet për kapjen e personave të shpallur në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, i cili u zhvillua nga SPAK-u tre ditë më parë.
Forcat e policisë janë parë gjatë orëve të para të mëngjesit në Elbasan, duke ushtruar kontrolle të imtësishme.
OPERACIONI “PLUMBI I ARTE”
Operacioni i ndërmarrë nga SPAK-u goditi tetë grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë. Operacioni në fjalë ka ardhur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier.
Dumani thuhet se është njeriu “kyç” për SPAK-un që ka çuar në hedhjen dritë në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vendin tonë. Mbi Nuredin Dumanin rëndojnë akuza të shumta, ku një prej tyre është edhe ajo e vrasësit me pagesë.
Dyshohet se Dumani kontaktohej nga grupe kriminale dhe kundrejt shumave të mëdha parash kryente eliminimet fizike të kundërshtarëve. Pikërisht një atentat të tillë ai do e kryente më 29 mars në Elbasan. Por diçka nuk shkoi sipas planit dhe ai ra në pritë duke mbetur edhe vetë i plagosur.
Në këtë ngjarje u përfol se Dumani ra në pritën e ish mikut të tij të ngushtë Talo Çela megjithatë kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht. Pas kësaj ngjarje, Dumani arriti të shkonte deri në Fier, por më pas iu vunë prangat bashkë me Henrik Hoxhajn, emër ky po ashtu i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Rruga Press