Rektori i Elbasanit bën thirrjen: Një studenti i duhen 7 vite për tu bërë mësues. Pas 5-6 vitesh rrezikojmë të jemi pa mësues fizike
Rektorët e Universiteteve shfrytëzuan takimin me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për të shprehur shqetësimet dhe problematikat me të cilat po përballen në Universitet.
Rektori i Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, shprehu shqetësimin se rrezikohen të mbyllen degët e mësuesisë.
“Na janë mbyllur degë që kanë mbi 60 vjet që janë në sistem, duke nisur nga Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Biologji Kimi. Kjo vlen ne të gjitha Universitetet Vlora, Shkodra, Durrës, Elbasani. Mesatarja 7.5 nuk është indikacion absolut. Mësuesia ka kohëzgjatjen më të madhe për tu mbyllur. 3 vite bachelor, dy vit master, 1 vit stazh, një vit portal. Do të thotë që një student nuk do të shkojë në degën e Mësuesisë se nuk kam siguri për jetën për të ardhmen”.
Rektori propozoi për mbledhjen e një grupi pune për gjetjen e incentivave që do të nxisin studentët të frektuentojnë këto degë.
“Për të ruajtur këto degë duhet të gjejmë incentiva bashkë me qeverinë se kollaj është për ti mbyllur. Nëse vazhdojmë kështu ata do të mbyllen. Të gjejmë incentiva dhe me të ardhura tona por pa ardhur shtatori i vitit që vjen të ulemi të gjejmë një zgjidhje sepse do të jemi përballë, siç më thonë ekspertët e mësuesise që kanë nga 40 vite sistem, se pas 5-6 vitesh nuk do të kemi mësues fizike.”
Rruga Press