Rekotori i Universitetit të Tiranës shqetësohet më shumë për numrin e universiteteve publike, sesa për numrin e ulët të studentëve. “14 universitete publike, shumë për Shqipërinë!”
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka dalë sërish në publik me shqetësimin e tij “të përhershëm”: Shqipëria, sipas tij, ka shumë universitete publike. Një sistem i fragmentuar, që kërkon integrim, bashkëpunim dhe riorganizim institucional. Fjalë të mëdha, teknike, të përsëritura pafund në konferenca, tryeza dhe intervista, por larg realitetit që po shemb universitetet shqiptare nga themelet: ikja masive e studentëve.
Sot, nuk është numri i universiteteve që duhet të na shqetësojë. Është numri i ulët i studentëve që mbeten në to. Auditorët janë bosh jo sepse ka shumë institucione, por sepse të rinjtë nuk duan më të studiojnë në Shqipëri. Ata po largohen me shpejtësi drejt universiteteve jashtë vendit, në Evropë apo më larg, atje ku shpresojnë për arsim serioz dhe një të ardhme me dinjitet. Kjo është e vërteta që rektori dhe shumë të tjerë nuk e thonë dot me zë.
Ndërsa Universiteti i Tiranës reklamon 162 programe dhe mbi 400 marrëveshje bashkëpunimi, askush nuk pyet: kush do të studiojë në këto programe? Marrëveshje ndërkombëtare për çfarë, kur diplomantët e tu më të mirë nuk duan t’i përfundojnë studimet këtu? Kushdo që futet në korridoret e universiteteve publike e sheh qartë: zbrazëti, mungesë shprese, indiferencë. Dhe kjo nuk vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, nga një sistem që refuzon të shohë të vërtetën në sy.
Rektori përmend mungesën e interesit për degë si shkencat e natyrës dhe ia faturon politikave shtetërore e tregut të punës. Po universitetet vetë, çfarë kanë bërë për ta kthyer këtë trend? Sa janë përmirësuar programet? Sa të përgatitur dalin studentët për tregun e punës shqiptar (apo më saktë, për mungesën e tij)? Përgjigjja është një heshtje e thellë, po aq e madhe sa ajo që mbush sot bankat bosh të auditorëve.
Nëse rektori vërtet kërkon një reformë, ajo nuk fillon me hartën e universiteteve. Fillon me pyetjen më bazë: pse po na ikin të rinjtë? Dhe nëse nuk ke përgjigje për këtë, çdo fjalë tjetër është thjesht propagandë pa thelb.
Rruga Press

