Opinion/Aktualitet

RECIPROCITETI: Vendimi (i vonuar) i qeverisë së Kosovës për qarkullimin e automjeteve dhe diplomacia teatrale serbe e tensioneve artificiale

Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Një veprim normal i qeverisë së Kosovës në 20 shtator 2021 për të zbatuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë në 14 shtator 2016 për lirinë e qarkullimit të automjeteve midis dy vendeve, po përdoret nga presidenti i Serbisë Vuçiç për ngritjen e një vale të re tensionesh kundër normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kosova vendosi të zbatojë me vonesë të njëjtën masë, që zbaton prej vitesh Serbia, e cila nuk lejon makinat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por i detyron të vendosin targa të përkohshme serbe me pagesë. Tani të njëjtën gjë po zbaton qeveria e Kosovës që makinat me targa serbe, të cilat vijnë nga Serbia të vendosin targa të përkohshme të Kosovës me tarifën 5 euro dhe me të drejtë qëndrimi 60 ditë në Kosovë.

Pra dy elemente janë ekstremisht të qarta:

E para që vendimi i qeverisë së Kosovës është zbatim i marrëveshjes së nënshkruar midis dy vendeve në Bruksel dhe një veprim, që Serbia e bën prej vitesh me makinat me targa të Kosovës.

E dyta është që vendimi i qeverisë së Kosovës nuk është kundër dhe nuk ka asnjë lidhje me qytetarët e Kosovës, qofshin shqiptarë apo serbë.

Vendimi është vetëm për makinat me targa serbe, që vijnë nga Serbia në Kosovë. Por e vërteta nuk i duhet presidentit serb dhe Serbisë. Presidentit serb dhe Serbisë u duhet tensioni artificial dhe menjëherë shpërthyen në një histeri teatrale diplomatike kundër Kosovës, duke e paraqitur sikur po dëmtohen dhe po sulmohen të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

Për ta bërë bindës pretendimin e tij presidenti Vuçiç urdhëroi shërbimet sekrete serbe të organizojnë bandat kriminale serbe në Veri të Kosovës për të ndërmarrë protesta të dhunshme dhe për të bllokuar rrugët kombëtare në Veri të Kosovës. Natyrisht policia e Kosovës nuk mund të lejojë bllokimin e rrugëve kombëtare nga kushdo qoftë dhe ndërmori veprimet normale të të gjitha policive të botës për sigurimin e qarkullimit të lirë të automjeteve në ato rrugë.

Presidentit serb i duhej konflikti artificial i krijuar nga bandat kriminale serbe të nxitura nga Beogradi, dhe nuk i intereson e drejta e Kosovës për reciprocitetin në çështjen e targave. Tensioni artificial në terren atij i duhet për qëllimet e tij politike dhe diplomatike.

Presidenti serb nisi diplomacinë teatrale me një seri hapash për të simuluar një situatë lufte të re. Presidenti Vuçiç iu dërgoi letra të menjëhershme zyrave të BE dhe të NATO-s për gjoja kërcënimet, që po u bëhen minoritetit serb në Kosovë. Në një inskenim teatral të gjoja situatës serioze, në 21 shtator presidenti thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Ai ka kërkuar mbledhjen e përfaqësuesve në Beograd “Quintit”, të pesë shteteve kryesore perëndimore. Për të krijuar efekte dramatike presidenti serb urdhëroi dislokimin e njësive tankiste në kufirin shtetëror të Serbisë me Kosovën.

Dhe kulmi i situatës komike u arrit në 21 shtator, kur ambasadori i Serbisë në Uashington, M.Gjuriç, njoftoi se do të fluturonte për në Beograd që të rregullojë situatën në Veri të Kosovës.
Është ironike që kreu i shtetit serb po ngrenë histeri politike e diplomatike mbi një çështje, që nuk ka të bëjë as me serbët e Kosovës dhe as me shqiptarët e Kosovës.

Vuçiç bën sikur harron se Serbia ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për mënyrat e qarkullimit të automjeteve midis dy vendeve. Për mospranimin dhe mosrespektimin e marrëveshjes, që Serbia ka nënshkruar vetë në Bruksel, presidenti serb doli me një shpjegim të ri absurd.

Në fjalimin patetik drejtuar kombit në 20 shtator ai deklaroi se “targat serbe janë targa të një shteti sovran”. Por kur nënshkroi marrëveshjen e shtatorit 2016 me Kosovën a ishin sovrane targat serbe?

Sipas logjikës së tanishme presidenciale serbe targat e Kosovës nuk janë targa të një shteti sovran dhe kjo e justifikon atë që të mos pranojë respektimin e marrëveshjes ndërkombëtare të qarkullimit të automjeteve, që qeveria e Serbisë ka nënshkruar në Bruksel. Në diplomaci ka rregulla dhe presidenti serb duhet të kishte njoftuar më parë zyrtarisht Bashkimin Europian si garant i kësaj marrëveshje, se Serbia nuk e njeh më atë marrëveshje të nënshkruar prej saj.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Provokimi dhe fryrja e tensioneve artificiale kanë qenë gjithmonë një instrument tradicional i politikës ballkanike të Serbisë dhe i diplomacisë serbe në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre në dialogun në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE. Nëpërmjet provokimit të tensioneve artificiale në Veriun e Kosovës, Serbia po ndjek strategjinë e shtyrjes sa më shumë të orës së të vërtetës, kur asaj do t’i duhet të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Presidentit serb ia bëri të qartë këtë të vërtetë me shkrim presidenti amerikan Biden në 15 shkurt 2021, ia deklaroi në sy edhe kancelarja gjermane Angela Merkel në bisedimet në Beograd në 13 shtator 2021.

Diplomacia teatrale serbe e tensioneve të tanishme artificiale synon të arrijë disa objektiva.

Së pari, kërkon të sanksionojë statusin virtual të metropolit dhe të provincës midis Serbisë dhe Kosovës. Sipas mendjes së ndryshkur politike dhe diplomatike të udhëheqjes nacionaliste serbe, në bazë të këtij statusi të ëndërruar serb Beogradi mundet të mos i zbatojë dhe t’i shkelë marrëveshjet, që i ka nënshkruar vetë në Bruksel, dhe të refuzojë që Kosova të zbatojë për ato marrëveshje reciprocitetin.

Së dyti, me tensionin e ri artificial dhe histerinë luftënxitëse Beogradi tenton që ta trembë burokracinë diplomatike të BE, që ajo të bëjë presione mbi Kosovën që të mos zbatojë ndaj Serbisë reciprocitetin e neneve të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të pranojë de facto statusin e provincës.

Së treti, Serbia po kërkon që të krijojë tensione artificiale rreth Kosovës me qëllim që të bllokojë dialogun me Kosovën në Bruksel dhe të pengojë vënien në qendër të këtij dialogu të çeshtjes themelorë të njohjes reciproke, siç ia ka kërkuar asaj presidenti i SHBA, Xho Bajden. Serbia provokon tensione artificiale për të shmangur përballimin me të vërtetën e hidhur për të, se pas 10 vjet torollisjesh në Bruksel me çështjet teknike, dialogu Kosovë-Serbi duhet të hyjë në thelbin politik të dialogut, që është njohja reciproke midis dy shteteve.

Kjo është strategjia bizantine e presidentit serb Vuçiç, i cili në 20 shtator e afishoi hapur, kur deklaroi se “Unë nuk shoh ndonjë kuptim të dialogut në këtë moment”. Është e disata herë, që e ka thënë në dy muajt e fundit. Presidenti serb mendon se me këto akte teatrale të tensioneve artificiale në Veriun e Kosovës ai do të mund t’i shmanget trekëndëshit diplomatik pa rrugëdalje, ku e kanë vënë edhe SHBA, edhe Gjermania, për përfundimin e dialogut Serbi-Kosovë me njohje reciproke.

Provokimi i tensioneve me shtetet fqinjë është një metodë klasike i veprimit të diplomacisë dhe institucioneve subversive shtetërore serbe. Tensionet dhe klimën e luftës Serbia e sheh si një mënyrë të efektshme për realizimin e programit të saj shovinist të “Serbisë së Madhe”, të cilit qeveria e Vuçiçit tani i ka vënë emrin “bota serb”, dhe që planifikon aneksimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Nuk janë të rastësishme ndërhyrjet e njëpasnjëshme brutale dhe fushatat e tensioneve, që po provokon Serbia në Bosnje, në Mal të Zi dhe në Kosovë.

Projektuesi dhe drejtuesi kryesor i ofensivës së tanishme destabilizuese serbe në tre shtetet fqinjë është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në datën 21 shtator presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, nga Nju Jorku ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB, deklaroi se “gjëja më e rëndë është se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë një nga luftënxitësit më të shquar dhe më të zhurmshëm në vitet 90’, (të konflikteve në ish-Jugosllavi), dhe është një pengesë”.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Në datën 13 shtator 2021 presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi: “Presidenti Vuçiç e don Kosovën pa shqiptarë dhe Malin e Zi pa malazezë. Presidenti Vuçiç ka ambicien që t’ia kalojë Sllobodan Millosheviçit dhe të arrijë gjithçka që Millosheviçi nuk mundi. Serbia është një bazë politike, sigurie dhe informative për realizimin e interesave të Rusisë në Ballkan. Serbia beson se është koha për të ribërë kufijtë në Ballkan”.

Pra dy presidentë të sotëm të dy shteteve anëtare të NATO-s dhe shtete fqinjë me Serbinë, të cilët e njohin Vuçiçin dhe Serbinë më mirë se të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të marrë sëbashku, i tregojnë rajonit dhe botës se kush është realisht presidenti i sotëm serb, të cilin mendje të fandaksura në Tiranë po ia reklamojnë popullit të Shqipërisë si misionar hyjnor i parajsës së rajonit me projektin e tij të “Ballkanit të hapur”.

Është një urim i vjetër që shqiptarët ia bëjnë vetes: “Zot na ruaj mendt e kresë”, urim që sot duhet thënë ndryshe: “Zot, ruaji mendt e kresë udhëheqësve të Shqipërisë”.

Bashkimit Europian dhe NATO-s duhet t’i tërheqë vëmendjen njëkohëshmëria e zhvillimeve të fundit në tre shtetet fqinjë me Serbinë, ku gjeneratori i tensioneve është vetëm Serbia dhe institucionet e tij diplomatike dhe subversive. Nuk është rastësi mbështetja e fuqishme, që po i jep Rusia kësaj strategjie serbe të tensioneve me shtetet fqinje, sepse Moska ka interes strategjik që Ballkani të destabilizohet.

Bie në sy që histeria e tanishme luftënxitëse e presidentit serb lidhur me protestat e bandave kriminale serbe në veri të Kosovës mori një përkrahje të menjëhershme masive dhe iu kushtua një jehonë e jashtëzakonshme në mediat ruse. Media qeveritare ruse “Balkanist”, e specializuar për Ballkanin, njoftonte që në titull me entuziazëm në 21 shtator se “presidenti i Serbisë i dha Bashkimit Europian një muaj afat për kryerjen e rolit të ndërmjetësit në bisedimet me Kosovën”.

Nga këto zhvillime negative të tensioneve të reja të provokuara nga presidenti serb dhe nga diplomacia serbe, duhen nxjerrë disa mësime për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe për të dy shtetet shqiptare.

Së pari duhet thënë se Kosova duhet të zërë mend dhe të mos i marrë me vonesë veprimet dhe aktet, që sanksionojnë barabartësinë e saj sovrane me Serbinë në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në dialogun e Brukselit.

Moszbatimi i akteve të reciprocitetit që burojnë nga këto marrëveshje, dhe sidomos heshtja e papranueshme e Kosovës për shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit nga Serbia, kanë krijuar situatën paradoksale, ku Serbisë i duket blasfemi diplomatike që Kosova po zbaton detyrimet e marrëveshjes së Brukselit. Dhe guxon presidenti Vuçiç dhe jep alarm europian pse Kosova po respekton reciprocitetin me Serbinë sipas marrëveshjes me të.

Së dyti, është e papranueshme dhe shenjë e një qëndrimi tribal politik që disa forca dhe politikanë të caktuar në Prishtinë, në situatën e tensioneve të reja të tanishme po sulmojnë për interesa meskine elektorale qeverinë e Kosovës për vendimin e saj të drejtë. Raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte që duhen parë në prizmin e interesit kombëtar dhe shtetëror, pa ngjyrim politik, fisnor apo krahinor.

Diplomacia serbe e tensioneve artificiale duhet t’i kujtojë diplomacisë dhe qeverisë së Kosovës rregullin e artë të reciprocitetit në marrëdhëniet midis shteteve sovrane. Reciprociteti nuk është shpikje e qeverisë së Kosovës, por është e drejtë e saj, është normë dhe praktikë ndërkombëtare që kur lindën shtetet.

Serbisë i duhet mësuar se ka përballë një shtet të pavarur dhe sovran, jo vetëm për targat, por në çdo element të marrëdhënieve dhe të marrëveshjeve dypalëshe me të. Serbia mund ta vonojë njohjen e Kosovës, por reciprociteti i sovranitetit dhe i të drejtave si shtet, i zbatuar me rigorozitet nga Kosova, do ta detyrojë Serbinë të vijë sa më parë te njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran./Gazeta Dita/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *