Reagon zyra e Kryeministrit Kurti: Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës
Komedianët rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar një video ku pretendojnë se kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë.
Lidhur me këtë incident ka reaguar Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Përmes një postimi në platformën X, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Kurti ka qenë viktimë e një telefonate të rreme.
Sipas njoftimit zyrtar, thirrja mashtruese ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kryeministri po merrte shumë telefonata dhe mesazhe urimi për rezultatin zgjedhor.
Për shkak të kufizimeve kohore, verifikimi i plotë i çdo thirrjeje nuk ka qenë gjithmonë i mundur.
“Kjo situatë e pafat konfirmon atë që dihet prej kohësh: Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.
Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për këtë incident, por njëkohësisht ka theksuar se ky rast konfirmon qëndrimin e palëkundur të Kryeministrit Kurti mbi çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe private.
Statement from the Office of the Prime Minister regarding the prank call incident. pic.twitter.com/GARMgzblwX
— Perparim Kryeziu (@KryeziuPerparim) March 26, 2025