Reagime të forta për sulmin me raketa në stacionin e trenit në Kramatorsk
Të paktën 52 civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa në një stacion treni në Ukrainë, për të cilin Kievi fajësoi forcat ruse. Moska mohon përfshirjen në këtë sulm. OKB-ja ka dënuar sulmin. Ndërkohë, Sllovakia, anëtare e NATO-s, ka dërguar në Ukrainë sistemin rus të mbrotjes raketore S-300.
Pasojat e luftës në Ukrainë kanë arritur në një shkallë të re të rëndë. Ukraina thotë se dy raketa goditën stacionin e trenit në qytetin lindor të Kramatorskit, i cili është përdorur nga mijëra civilë për t’u larguar nga zonat e luftës.
Në njërën anë të një rakete ruse që ra pranë stacionit të trenit, ishin shkruar fjalët “për fëmijët”.
Gazetari që filmoi këto pamje ishte dëshmitar i sulmit me raketa.
“Kishte njerëz jashtë stacionit të trenit, në të dyja anët. Zona dukej si një thertore. Ishte e tmerrshme. Nuk e di se si arrita të qëndroja dhe nuk u godita, ishte një mrekulli”, thotë Oleksiy Merkulov, dëshmitar i sulmit.
Presidenti i Ukrainës tha se të këqijat e Rusisë “nuk kanë kufij”.
“Ata godasin njerëzit me raketa. Ka dëshmitarë, ka video, ka mbetje raketash, dhe njerëz të vdekur”, tha presidenti Zelenskyy.
Moska mohoi përgjegjësinë dhe tha se të ashtuquajturat raketa “Tochka-U” përdoren vetëm nga forcat ukrainase, por ekspertët ushtarakë thonë se Rusia ka rezerva të konsiderueshme të këtyre armëve.
“Ata i kanë përdorur ato vazhdimisht gjatë gjithë konfliktit. Ato janë përdorur në Donbas, në zonat e kontrolluara nga rebelët”, thotë Justin Bronk nga Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve.
Presidenti Zelenskiy priti të premten Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ata vizituan qytetin e Buças jashtë Kievit, ku Ukraina thotë se forcat ruse masakruan më shumë se treqind vetë, përfshirë fëmijë.
“Këtu në Buça, ne pamë një goditje ndaj njerëzimit dhe e gjithë bota po mban zi me njerëzit e Buças.”
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se është jetike që Ukrainës t’i jepen armët që i nevojiten.
Sllovakia konfirmoi të premten se i ka dhënë Ukrainës sistemin e saj rus të mbrojtjes raketore S-300, i cili mund të rrëzojë raketat dhe avionët luftarakë. Në këmbim të kësaj, Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Sllovakinë me sistemin e saj të mbrojtjes raketore “Patriot”. Qeveria e Sllovakisë tha se kjo dërgesë nuk nënkupton se Bratisllava është bërë pjesë e konfliktit të armatosur.
NATO fillimisht ishte e shqetësuar nga përshkallëzimi i luftës me Rusinë, thotë analisti Malcolm Chalmers.
“Kjo ndryshoi me kalimin e kohës. Tani, Ukraina po furnizohet me armë që përdoren për sulme dhe kundërsulme, në një mënyrë që nuk po ndodhte me parë”, thotë Malcolm Chalmers nga Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve.
Anëtarët e NATO-s dhe G-7-ës këtë javë kanë ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë.
“Këto janë sanksione kundër ekonomisë ruse dhe ato janë shumë efektive”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Por Gjermania dhe Evropa vazhdojnë të shpenzojnë qindra miliona dollarë në ditë për blerjen e gazit natyror dhe naftës ruse. Kievi i ka quajtur këto para gjaku që po financojnë makinerinë luftarake të Rusisë dhe thotë se populli i Ukrainës po paguan çmimin përfundimtar.
Rruga Press