Rasti i parë i lisë së majmunëve regjistrohet në Evropë, ekspertët: Mund të përhapet shpejt në vendet e tjera
Zyrtarët globalë të shëndetësisë konfirmuan mbrëmë infeksionin e parë me virusin e ri mpox (lija e majmunëve) në Suedi, duke e lidhur atë me një numër në rritje të rasteve në Afrikë.
Kjo është shenja e parë e përhapjes së virusit jashtë kontinentit afrikan, një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli sëmundjen një kërcënim global për shëndetin publik.
Autoritetet shëndetësore suedeze njoftuan në një konferencë për shtyp se personi ishte infektuar ndërsa ishte në Afrikë me llojin Clade 1b, i cili lidhet me shpërthimin aktual. Personi i infektuar i nënshtrohet trajtimit të duhur.
“Shfaqja e një rasti në kontinentin evropian mund të nxisë përhapjen e shpejtë ndërkombëtare të mpox”, tha Lawrence Gostin, ekspert i shëndetit publik dhe profesor në Universitetin Georgetown në Uashington. “Rasti në Suedi ka shumë të ngjarë të thotë se ka dhjetëra raste të pazbuluara në Evropë”, shtoi ai.
Doktori Brian Ferguson nga Universiteti i Kembrixhit shprehu shqetësimin me rastin e udhëtarit suedez, por theksoi se nuk ishte befasuese duke pasur parasysh ashpërsinë dhe përhapjen e epidemisë në Afrikë.
“Më shumë raste ka të ngjarë të shfaqen këtu dhe në pjesë të tjera të botës, pasi aktualisht nuk ka mekanizma për të parandaluar importimin e rasteve mpox”, shtoi Ferguson, transmeton Telegrafi.
OBSH-ja deklaroi se ky është një Kërcënim i Shëndetit Publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC) pasi rastet në Republikën Demokratike të Kongos u përhapën në vendet fqinje. PHEIC është niveli më i lartë paralajmërues i OBSH-së.
Që nga fillimi i shpërthimit në janar të vitit 2023, Kongo ka regjistruar 27 mijë raste dhe më shumë se 1100 vdekje, kryesisht në mesin e fëmijëve.
Grupi global i vaksinave Gavi i tha reuters se i ka gati deri në 500 milionë dollarë për blerjen e vaksinave për vendet e prekura në Afrikë.
Zyrtarët nga SHBA dhe Kanada thanë se nuk kanë identifikuar asnjë rast deri më tani.
“Ky është rasti i parë i Clade 1 mpox i raportuar jashtë kontinentit afrikan”, tha David Daigle, zëdhënës i CDC, duke vënë në dukje se agjencia po monitoron nga afër shpërthimin.
CDC kohët e fundit lëshoi një Përditësim të Rrjetit të Paralajmërimeve Shëndetësore dhe një njoftim të përditësuar të Udhëtimit Shëndetësor për të informuar mjekët, udhëtarët dhe partnerët e shëndetit publik në SHBA për përhapjen e Clade 1 mpox në vendet që historikisht nuk kanë raportuar raste të sëmundjes.
Clade 1b, lloji i virusit pas shpërthimit aktual, është një variant i ri i Clade 1 endemik në Kongo. Clade 1b duket se përhapet më lehtë përmes kontaktit rutinë të ngushtë, duke përfshirë atë seksual.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë amerikane, Clade1 mpox tenton të shkaktojë infeksione më të rënda dhe ka një shkallë më të lartë të vdekjes sesa Clade 2.
Në vitin 2022, OBSH shpalli një kërcënim për shëndetin publik për shkak të një shpërthimi të mpox të shkaktuar nga Clade 2, i cili rezultoi në më shumë se 95 mijë raste në 115 vende jo-endemike.
Rruga Press