KryesoreLajme

Raportuesi për Kosovën në PE fajëson Këshillin Evropian dhe shtetet anëtare për mosheqjen e masave ndaj Kosovës

Raportuesi për Kosovën në PE, Terras fajëson Këshillin Evropian dhe shtetet anëtare për mos heqjen e masave ndaj Kosovës

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, fajëson Këshillin Evropian dhe shtetet anëtare për zvarritjen e heqjes së masave ndaj Kosovës. Ndonëse i cilëson si të padrejta këto masa, ai nuk mund të thotë se kur mund të hiqen ato.

Po bëhen gati dy vjet prej kur Kosovës i janë vendosur masat nga Bashkimi Evropian – e të cilat pavarësisht thirrjeve brenda e jashtë vendit, vazhdojnë të mos hiqen. Shteti po i vuan pasojat, përderisa vendet e BE-së nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për largimin e tyre.

Gjersa krerët e lartë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në çdo takim me personalitete të larta që vijnë nga shtetet anëtare të BE-së, kërkojnë që këto masa të hiqen njëherë e mirë, së fundmi edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian ka përpiluar një raport duke e kërkuar pikërisht të njëjtë gjë.

Ish-ushtaraku estonez që u përcaktua raportues për Kosovën në nëntor të vitit 2024, Riho Terras, thotë që për zvarritjen e heqjes së masave duhet të fajësohet vetëm “Këshilli Evropian dhe shtetet anëtare, të cilat duhet të krijojnë një konsensus për heqjen e tyre”.

Se cilat janë ato vende që janë kundër heqjes së masave, Terras nuk flet me emra, mirëpo sipas tij, janë “emrat e zakonshëm”.

“Vendet që janë kundër heqjes së masave janë ata të zakonshmit. Ne duhet të sjellim në anën tonë ata më të mëdhenjtë, ata që flasin për heqjen graduale [të masave], por nuk do të doja t’i përmendja dhe t’i turpëroja. Besoj se edhe djali i keq i Evropës do të ndjekë, nëse të mëdhenjtë bien dakord”, shtoi ai.

Terras nënvizoi se Parlamenti Evropian dhe Komiteti i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme, kanë një shumicë shumë të fortë anëtarësh kundër masave që janë vendosur ndaj Kosovës, por nuk e kanë në dorë heqjen e tyre.

“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, shkruan në dokument.

Lexo më shumë  Qehaja: Marrëveshje ushtarake Kosovë, Shqipëri Kroaci s’është provokim

Terras tha se është e padrejtë që ndaj Kosovës janë vendosur masat, por nuk mund të thotë se kur mund të hiqen ato.

“Por sinqerisht shpresoj se do të ketë përparim në të ardhmen e parashikueshme”, tha ai.

Megjithatë, eurodeputeti thekson se heqja e masave të BE-së është shumë më e vështirë. Edhe pse sipas tij, ish-përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vlerësoi se Kosova ka përmbushur kërkesat e formuluara nga BE-ja, në qershor 2023, dhe rekomandoi heqjen e masave, një gjë e tillë është vetëm në dorën e Këshillit.

“Tani kjo është në tryezën e Këshillit – të gjitha 27 shtetet e BE-së duhet të bien dakord, gjë që padyshim është një sfidë. Qëndrimi i Parlamentit është dhe ka qenë shumë i qartë që në fillim – masat janë të panevojshme dhe të padrejta”, tha ai.

Në muajin qershor 2024, kryediplomati Borrell ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së Raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës, ku ishte bërë vlerësimi për heqjen e masave.

Pavarësisht që ndaj Kosovës çdo ditë bëhet thirrje që të ndjekë rrugën e duhur për integrimin në BE, Terras thotë se përkundrazi masat janë pengesë në këtë rrugë.

“Prandaj është shumë e rëndësishme që ato të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse nëse BE pret reforma nga Kosova, duhet të japim edhe ne nga ana jonë”, shprehet ai.

Terras thotë se ajo që beson se mund ta bëjnë si eurodeputetët është një presion pozitiv ndaj shteteve mosnjohësve dhe të tregojnë një progres të mirë përkundrejt dialogut Beograd-Prishtinë.

Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën ka qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve.

Ndryshe, kësaj radhe pas Zgjedhjeve në institucionet evropiane, Terras ishte përcaktuar për Kosovën edhe pse i takon Grupit të Partisë Popullore Evropiane (Grupi PPE). Raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian është deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula.

Sidoqoftë, ai shprehet i sigurt që nëse mund të shohin ringjalljen e Dialogut dhe një rrugë pozitive përpara, pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën do të kenë “motivim më të fortë për të rishqyrtuar pozicionin e tyre”.

Lexo më shumë  Vazhdimi i grusht-shtetit në Bosnje: Ligjet e reja për policinë kufitare të Republikës Serbe

Pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës janë: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania. Të njëjtat, por jo vetëm e kanë penguar Kosovën edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në draft-raportin e Terras, poashtu ishte kërkuar që vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova nuk merr ftesa, po ashtu, në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat e tjera janë edhe suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Heqja e masave u kërkua së fundmi nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në vizitën e emisarit të ri të BE-së për Dialogun Kosovë, Peter Sorensen.

E para e vendit, Vjosa Osmani, kërkoi heqjen e masave të vendosura nga BE-ja, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar.

“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”- ka thënë ajo.

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti i ka quajtur kontradiktore këto masa.

“Kontradiktë e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, i ka thënë ai, Sorensenit. 

Rruga Press

YouTube player