BotaKryesore

Raportuesi i PE-së për Serbinë mesazh Vuçiçit: BE-ja nuk është një bufe ku mund të zgjedhësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e sheh Bashkimin Evropian si një bufe: zgjedh vetëm bashkëbiseduesit që i përshtaten, dhe vazhdimisht i konsideron kritikët nga Bashkimi Evropian si armiq, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula. Sipas tij, Vuçiç i trajton në të njëjtën mënyrë edhe rivalët politikë vendas, madje edhe qytetarët e Serbisë.

Në një intervistë për “Vecernji list”, Picula foli për sulmet e vazhdueshme të Vuçiç.

Deklaratat me karakter sulmi të Vuçiç erdhën pak ditë para se delegacioni i Parlamentit Evropian, i udhëhequr nga Tonino Picula, të jetë në Beograd, nga 22 deri më 24 janar.  Presidenti i Serbisë, së bashku me kryetaren e Asamblesë Kombëtare Ana Brnabiç, njoftuan se po refuzojnë të flasin me Piculën dhe delegacionin e tij. “Ata u ulën, urrejtësit e Serbisë, dhe pranuan të vinin në Beograd. Nuk na pyetën, nuk na informuan”, ka përsëritur Vuçiç prej ditësh.

Lexo më shumë  LVV pro, PDK kundër/ Komisioni për Legjislacion i miraton amandamentet e Osmanit

Picula tha se do të ketë më shumë sulme të tilla dhe se Vuçiç nuk po heq dorë prej tyre.

Sipas tij, pyetja që lind është: A dëshiron Serbia, me Vuçiçin në krye, të anëtarësohet fare në Bashkimin Evropian? “Deklarativisht – po, por në praktikë po bën gjithçka për ta shmangur atë”, tha ai.

“Më duket se presidenti i Serbisë e sheh Bashkimin Evropian si një bufe: ai zgjedh vetëm bashkëbiseduesit që i përshtaten, dhe vazhdimisht i konsideron kritikët nga i njëjti Bashkim Evropian si armiq. Sipas mendimit tim, kjo nuk është asgjë e re apo e çuditshme, sepse ai i trajton në të njëjtën mënyrë edhe rivalët politikë vendas, dhe do të thoja edhe qytetarët e Serbisë… Pra, në mënyrën e tij të njohur, Vuçiç flet kryesisht ose me një pasqyrë, ose vetëm me gazetarë të zgjedhur, të cilët më pas përcjellin perceptimin e tij për atë se çfarë është situata në Serbi dhe përreth Serbisë. Prandaj, asgjë e çuditshme”, thekson Tonino Picula, në një intervistë për “Vecernji list”.

Lexo më shumë  Pse PDK-ja do të duhej ta votonte Konjufcën

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë përsëriti se Parlamenti Evropian, ku ai është përfaqësues me kolegë të tjerë parlamentarë, mbështet vazhdimisht politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Serbinë.

‘Megjithatë, kjo politikë ka qëllimet dhe metodologjinë e vet… Të tjerë para meje, të cilët nuk ishin as në grupin tim politik, gjithmonë kanë theksuar të njëjtat probleme në raportet e tyre, të cilat, për fat të keq, nuk po zgjidhen në Serbi. Do të thosha se veçanërisht në vitin e fundit, këto probleme vetëm sa janë grumbulluar. Vuçiç fajëson të gjithë të tjerët për problemet e Serbisë përveç tij dhe sistemit që ai ka udhëhequr prej vitesh”, tha Picula.

Rruga Press

YouTube player