KryesoreLajme

Raporti i kredive me probleme bie në 6.5%, niveli më i ulët që nga nëntori 2008

Raporti i kredive vijoi rënien në muajin shtator. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ra në 6.5%, nga 6.9% që kishte qenë një muaj më parë. Shifra e shtatorit është niveli më i ulët i kredive me probleme i regjistruar që prej nëntorit të vitit 2008.

Deri tani, ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se parashikimet. Kur ekonomia u prek nga efektet e pandemisë, frika e një vale të re të kredive me probleme ishte një nga shqetësimet kryesore për rregullatorët. Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%.

Gjatë periudhës kur efektet e krizës ishin më të forta, raporti i kredive me probleme nuk u rrit falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Masat që mbështesnin ristrukturimet ishin në fuqi deri në fund të muajit mars të këtij viti dhe për shkak të afateve të përcaktuara në rregulloret përkatëse për klasifikimin e kredive me probleme pritej që efekti i tyre të vërehej duke filluar nga mesi i këtij viti.

Lexo më shumë  Reuters: Orban po sfidohet seriozisht, partia Tisza në rrugë për të fituar shumicën prej dy të tretash në parlament

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje raporti i kredive me probleme ka vazhduar të ulet më shumë. Mosrritja e raportit të kredive me probleme tregon se masat e përkohshme e kanë arritur qëllimin e tyre, që ishte dhënia e kohës së mjaftueshme që gjendja financiare e huamarrësve të rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë.

Përmirësimi i ekonomisë reale besohet se ka ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse. Për tremujorin e dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 17.9% dhe tejkaloi nivelet e vitit 2019, para pandemisë. Megjithëse fundi i pandemisë ende është larg, deri tani situata duket të jetë e kontrollueshme dhe nuk ka pritshmëri për vendosjen e kufizimeve të reja serioze, që do të ndikonin në mënyrë të ndjeshme aktivitetin ekonomik.

Lexo më shumë  “Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?

Një rol po aq të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme ka pasur rritja e kreditimit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha këtë javë se portofoli i kredisë bankare u rrit me 8.9% në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, i diktuar nga zgjerimi i kredisë në lekë, i kredisë për qëllime investimi dhe i asaj për blerje banese. Ecuria pozitive e kreditimit ka pasqyruar si zgjerimin e kërkesës ashtu dhe përmirësimin e ofertës dhe kjo e fundit është ndikuar nga bilancet e shëndetshme të sektorit bankar. Zmadhimi i portofolit total të kredisë ka ndihmuar në uljen e peshës relative të portofolit të kredive të këqija, si edhe ka ndihmuar vazhdimësinë normale të aktivitetit të sektorit privat.

Monitor
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *