Lajme

Raporti i 19 janarit të vitit 1993: Plani për izolim total të Serbisë

Nga Sylë Ukshini

Më 19 janar 1993, diplomati Michael Libal paraqiti një raport për Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Kinkel, në lidhje me situatën e ish-Jugosllavisë dhe planifikimin e mundshëm për izolimin total të Serbisë. Ky raport u përqendrua në vendimet e fundit të BE-së dhe shqetësimet që lidhen me implementimin e këtyre masave. Në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së të mbajtur më 13 janar 1993 në Paris, u vendos të filloheshin përgatitjet për masa të tjera që do të çonin në izolimin total të Serbisë. Ky vendim pasonte përpjekjet për të ushtruar presion mbi regjimin serb në kuadër të konfliktit të përhapur në Ballkan

Analizë e diplomatit gjerman Libal për ministrin e Jashtëm të Federatës, Kinkel

Në fillim të viteve 1990, gjatë shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ambasadori Michael Libal drejtoi Departamentin e Evropës Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Libal ka qenë i angazhuar intensivisht për çështjen e Kosovës dhe ka ndjekur një diskurs pozitiv ndaj saj. Ai është gjithashtu autor i librit të njohur “Limits of Persuasion: Germany and the Yugoslav Crisis, 1991-1992”, ku ofron një përshkrim unik dhe të dorës së parë të diplomacisë gjermane dhe evropiane gjatë fazave të hershme të krizës jugosllave, duke analizuar në thellësi çështjet kyçe të asaj periudhe. Libal korrigjon keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara për këtë periudhë dhe e vendos debatin mbi përfshirjen perëndimore në ish-Jugosllavi në një bazë më të qëndrueshme dhe të vërtetë. Libri ofron një histori të detajuar të diplomacisë gjermane gjatë vitit të parë të krizës jugosllave dhe analizon çështjet që përbënin sfidat për Gjermaninë dhe komunitetin ndërkombëtar në atë kohë, duke ofruar një pamje të qartë të motiveve, perceptimeve dhe veprimeve të qeverisë gjermane.

Më 19 janar 1993, diplomati Michael Libal paraqiti një raport për ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Kinkel, në lidhje me situatën e ish-Jugosllavisë dhe planifikimin e mundshëm për izolimin total të Serbisë. 

Ky raport u përqendrua në vendimet e fundit të BE-së dhe shqetësimet që lidhen me implementimin e këtyre masave. Në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të BE-së të mbajtur më 13 janar 1993 në Paris, u vendos të filloheshin përgatitjet për masa të tjera që do të çonin në izolimin total të Serbisë. Ky vendim pasonte përpjekjet për të ushtruar presion mbi regjimin serb në kuadër të konfliktit të përhapur në Ballkan, dhe veçanërisht për të detyruar Beogradin të ndalonte agresionin ndaj shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë.

Frika nga pasojat negative për shqiptarët e Kosovës

Një nga shqetësimet kryesore të paraqitura nga Libal ishte se implementimi i masave të izolimit total mund të kishte pasoja negative për popullsinë civile, veçanërisht për shqiptarët e Kosovës, minoritetet në Vojvodinë dhe myslimanët në Sanxhak. Disa nga këto grupe etnike mund të ishin të mbrojtura nga përpjekjet për ta izoluar Serbinë, pasi shumica e tyre ishin të ekspozuara ndaj agresionit serb. Një ndalim i komunikimit me serbët e diasporës (përfshirë rreth 200,000 serbë në Gjermani) mund të prekte këto grupe dhe të krijonte një situatë të vështirë për ata që kërkonin mbështetje dhe informacione mbi gjendjen e tyre.

Lexo më shumë  Kurti njofton për 118 anëtarësime të reja në Shtime

Në këtë kontekst, Libal theksonte nevojën për një qasje të kujdesshme që do të evitonte ndikimet negative të izolimit për grupet e pambrojtura, dhe do të mundësonte raportimin mbi situatën e atyre që ndodheshin nën kërcënim. Kjo tregon një pragmatizëm të nevojshëm në diplomaci, ku qëllimi i presionit ndaj Serbisë nuk duhet të vinte në dëm të popullsisë civile që po përjetonte pasojat më të rënda të konfliktit.

Raporti i Libalit sugjeron që ndërhyrjet diplomatike dhe sanksionet e propozuara për të izoluar Serbinë mund të kishin efekte të përziera, duke krijuar një tension të madh mes qëllimeve politike dhe ndikimeve humanitare. Mbështetja për popullsinë civile, veçanërisht për grupet e minoriteteve, duhet të ishte një prioritet në implementimin e masave të izoluara, ndërkohë që përpjekjet për t’i bërë presion Serbisë përfundimisht kishin për qëllim t’i jepnin fund agresionit dhe dhunës që po shkaktonte një situatë të paqëndrueshme në rajon.

Takimet me Serreqin dhe Gjeloshin

Në vëllimin e dosjeve të politikës së jashtme gjermane për vitin 1993 përfshihen edhe dy takime diplomatike të rëndësishme, Kinkel-Serreqi dhe Schmidbauer-Gjeloshi të cilat trajtojnë situatën e Kosovës dhe ndikimet e politikave të Serbisë pas periudhës së luftës në Jugosllavi, duke u përqendruar në përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e stabilitetit në rajon. 

Takimi i ministrit të Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Alfred Serreqi, u përqendrua në situatën politike dhe sociale të Shqipërisë dhe Kosovës, duke përfshirë pasojat e luftës në Jugosllavi. Diskutimet u zgjeruan në tema të tjera, si çështja e Maqedonisë, marrëdhëniet Turqi-Greqi dhe krijimi e një Gjykate Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Ky takim theksoi rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të adresuar pasojat afatgjata të konflikteve të mëparshme, duke nxjerrë në pah ndikimin e këtyre çështjeve në politikën globale.

Në një tjetër takim dhe bisedë informale, në prill të vitit 1993 të zhvilluar në Bon mes sekretarit të Shtetit gjerman, Schmidbauer dhe “zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës” (emërtimi përdoret në thonjëza, pasi Boni zyrtar nuk e njihte Kosovën si shtet dhe rrjedhimisht i shmangej çdo pozicioni që mund të dukej ndryshe me atë të politikës evropiane), Nikë Gjeloshi, u diskutua për politikën represive të Serbisë ndaj shumicës shqiptare në Kosovë. Në këtë takim Gjeloshi, ashtu si edhe në letrën për kancelarin Helmut Kohl, përshkruante me fjalë dramatike shtypjen nga pakica serbe në Kosovë dhe parashtroi kërkesën e mbështetjes për sovranitetin dhe vetëvendosjen e Kosovës. 

Ky takim u fokusua në analizimin e politikave të shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve nga ana e Serbisë, si dhe ndikimin e këtyre politikave në stabilitetin rajonal. U theksua nevoja urgjente për ndërhyrje ndërkombëtare, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky fokus mbi të drejtat e shqiptarëve dhe mundësitë për zgjidhje paqësore ishte një element kyç në diskutimet diplomatike të asaj periudhe. Kjo kërkesë ishte gjithashtu tema kryesore e letrës së Gjeloshit drejtuar kancelarit Helmut Kohl, për të cilën, sipas zyrtarit gjerman, nuk do të jepej përgjigje për këto arsye: “Pavarësisht simpatisë për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, Qeveria Federale nuk e ka njohur as ‘Republikën e Kosovës’ dhe as qeverinë e saj në mërgim. Një përgjigje zyrtare mund të interpretohej si njohje e nënkuptuar nga ana e Qeverisë Federale.”
Ishte evidente se Qeveria Federale Gjermane dëshironte t’u shmangej keqkuptimeve që mund të shkaktoheshin rreth qëndrimeve të politikës së saj të jashtme dhe njëkohësisht tregohej më e përmbajtur sesa në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Në këtë kuadër, Boni zyrtar i përmbahej politikës evropiane ndaj problemit të Kosovës, e cila, siç nënvizohet edhe në këtë dokument, koordinohej nga Grupi i Punës për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve, i drejtuar nga ambasadori i njohur gjerman Geert-Hinrich Ahrens, në kuadër të Konferencës për Jugosllavinë. Dokumenti në fjalë thekson se puna e këtij grupi synonte një “status të fortë autonomie për Kosovën (të krahasueshëm me Kushtetutën Federale Jugosllave të vitit 1974) dhe jo njohjen e sovranitetit apo vetëvendosjes”.

Lexo më shumë  Osmani takoi ambasadorin turk, i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Dekurajimi i shqiptarëve për luftë dhe dy parimet e presidentit Rugova

Në të njëjtën dokument, që ishte i firmosur nga zyrtari i qeverisë Wild dhe diplomati i njohur Michale Libal, i cili asokohe ishte i ngarkuar drejtpërdrejt me Kosovën në Ministrinë e Jashtme të RFGJ-së, theksonte se “situata në Kosovë është jashtëzakonisht e tensionuar” por ende më e qëndrueshme se në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë kontekst, dokumenti përmbyllej me konstatimin se “duhet shmangur gjithçka që forcon shpresat e shqiptarëve të Kosovës se ata mund të arrijnë qëllimet e tyre përmes një kryengritjeje të armatosur”.

Në përmbledhje, këto takime reflektojnë përpjekjet e Gjermanisë në kontekstin e politikës evropiane, përkatësisht të Konferencës së Gjenevës, ky ishte krijuar Grupi Special, të negociohej për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës, duke nisur nga problemi i arsimit. Mbi të gjitha, fokusi gjerman, evropian dhe amerikan ishte në luftën e Bosnjë-Hercegovinës, e cila kishte lënë nën hije problemin e Kosovës dhe për këtë si Boni ashtu edhe politika evropiane dhe amerikane po bënin përpjekje për të dekurajuar çdo përpjekje të shqiptarëve të Kosovës për luftë të armatosur. Në anën tjetër, edhe Ibrahim Rugova, atëherë udhëheqësi i padiskutueshëm i shqiptarëve, por që nuk njihej zyrtarisht si president i vendit, ndiqte dy parime të patundshme: pavarësi dhe kurrë më nën Serbinë, dhe tjetra, që kjo të arrihej vetëm paqësisht (rezistencë civile). Mbi këtë bazë, politika gjermane e mbështeste kursin politik të Rugovës dhe angazhohej për negociata, fillimisht për normalizimin e çështjes së arsimit. Ishte koha kur në kuadër të Konferencës së Gjenevës, siç thotë Ahrens, u përpilua një plan për qasjen me tre faza. Së pari, të bëhej diçka për gjendjen e tmerrshme të të drejtave të njeriut në Kosovë. Por për t’u zgjidhur kjo na duheshin serbët, këtë problem nuk mund ta zgjidhnin shqiptarët. E dyta, ishte që të arrinim një lloj normalizimi në disa sektorë, duke filluar me arsimin, pra shkollat, universitetin. Dhe e treta do të ishte statusi, pra se cila do të ishte e ardhmja e Kosovës. Ishte situatë shumë e vështirë të negociohej për Kosovën, pasi që brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë në Konferencat e Jugosllavisë nuk kishte ndonjë interes për çështjen shqiptare të Kosovës për aq kohë sa vazhdonte lufta në Kroaci dhe në Bosnjë- Hercegovinë./Koha.net

Rruga Press

YouTube player