Ramushi i njofton ndaj rrezikut nga “Albin komunisti”, amerikanët ndëshkojnë miqtë e Ramushit!
Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja vendosi sanksione për 16 individë të cilët mendohet se janë të lidhur me krimin e organizuar. Mes tyre janë edhe dy serbë të Kosovës për të cilët në mënyrë joformale dihej paraprakisht se ishin të përfshirë në trafikim armësh, droge, kontrabandim mallrash dhe aktivitete të tjera kriminale.
Mes tyre janë edhe Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç; për të dy dihet se janë të lidhur ngushtë me presidentin serb Aleksanar Vuçiq dhe se janë figura qendrore të asaj që njihet si struktura paralele parashtetërore në veri të Kosovës.
Poashtu, për këta dy figura mendohet se mund të jenë të lidhur drejtpërdrejt me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, i cili ishte figura më e rëndësishme opozitare kundrejt partisë serbe në Kosovë Lista Serbe, kjo e fundit parti e dirigjuar nga Beogradi. Dyshohet se vrasësi që ka qëlluar mbi Ivanoviçin është pikërisht Milan Radojçiç.
Këta të dy, përveçse të angazhuar në aktivitet kriminal kanë qenë të angazhuar edhe me partinë Lista Serbe. Radojçiç ka qenë edhe zv. kryetar i kësaj partie.
Por, këta figura që me aktivitetin e tyre kriminal dhe partiak kanë punuar pareshtur për gërryerjen e sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës kanë patur lidhje të ngushta edhe me politikanë të rëndësishëm shqiptarë.
Fare lehtë mundemi të gjejmë dy fotografi ku janë bashkë Milan Radoiçiç dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Fotoja e parë është shkrepur në një lokal, përpara se z. Haradinaj të bëhej kryeministër, kurse fotoja e dytë është bërë në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj. Është tepër e qartë se takimi i parë i z. Haradinaj me kriminelin Milan Radoiçiç është bërë në kuadër të marrëveshjeve për të formuar qeverinë, kurse takimi i dytë është mbas formimit të qeverisë dhe ndoshta i shoqëruar me biseda sesi Radojçiç do të përfitonte për shkak të favorit që i kreu z. Haradinaj.
Edhe më herët, por edhe më vonë, z. Haradinaj është akuzuar se është i lidhur me këtë person dhe bashkëpunëtorë të tij, jo vetëm sa i përket pazareve politike, por edhe pazareve të kontrabandës. Me këto ngelet që të merret prokuroria, sidomos tani që është dhënë ky sinjal i fuqishëm nga SHBA për të luftuar krimin e organizuar në Kosovë, si dhe strukturat paralele që gërryejnë shtetësinë e Kosovës.
Deri tani mund të themi se vetë z. Haradinaj është shprehur se e ka takuar personin në fjalë, duke dhënë argumentin se “ai ka autoritet në veri”, fundja si çdo kriminel që respektohet nga frika që shkakton përmes terrorit te qytetarët.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe profesori i shkencave politike, z, Hysamedin Feraj i cili është shprehur se ndërkohë që z. Haradinaj u bën thirrjen qesharake amerikanëve që të kenë kujdes nga “Albin komunisti”, siç z. Haradinaj e etiketon shpesh kryeministrin e Kosovës Kurti, ajo çka ndodh realisht është se amerikanët përgjigjen duke futur miqtë e z. Haradinaj në “listë të zezë”.
Më tej, z. Feraj aludon edhe për lidhjen e ish-kryeministrit Haradinaj me këta “peshkaqenë” të krimit të organizuar, bashkëpunëtorë të Beogradin zyrtar. Poashtu, profesori ngre edhe dilemën nëse kësaj liste amerikane do i bashkohet së shpejti edhe vetë z. Haradinaj, pa e shprehur, por duke e nënkuptuar këtë të fundit.
Postimi i plotë i z. Feraj në llogarinë e tij në Facebook:
Çudi amerikane:
Ramushi i njofton ndaj rrezikut nga “Albin komunisti”, amerikanët ndëshkojnë miqtë e Ramushit!
A thua emrin e cilit zyrtari të Kosovës e dinë SHBA si bashkëpunues me atë krim të organizuar? Mbase një ditë ia dëgjojmë “krismën”.
©Rruga Press