KryesoreLajme

Rama zbulon si u bë avokat i Beogradit në samitin e BE-së: Serbia s’duhet sanksionuar! Masat ndaj Kosovës të kuptueshme, por duhet të hiqen

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një konferencë me gazetarët pas samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kreu i qeverisë zbuloi edhe diskutimet që u bënë për Kosovën dhe Serbinë ndërsa shtoi se Serbia nuk duhet të sanksionohet. Natyrisht këtë qasje, Rama e argumentoi me pretendimin se Serbisë i takon e ardhmja evropiane, duke e barazuar në një farë mënyrë rrugëtimin e Kosovës dhe Serbisë drejt unionit, ndonëse është fakt se Beogradi do duhet të përballet me masa të ashpra nga BE për sulmin në Banjskë, e për cenimin e vazhdueshëm që i bën Kosovës përmes retorikave të ashpra.

Deklaratat e Serbisë dhe qëndrimi i saj karshi unionit, karshi dialogut dhe karshi Kosovës nuk kanë ndryshuar, e kjo retorikë nuk do duhet barazuar kurrë me gatishmërinë  e Kosovës për dialog dhe për marrëveshje. Sidoqoftë, nën optikën e Ramës, Serbia nuk do duhet sanksionuar, e ndërsa masat ndëshkuesë ndaj Kosovës do duhet të hiqen ndonëse u sigurua të theksonte se kanë qenë “të kuptueshme”.

“Kam theksuar edhe në prani të përfaqësueses së Republikës së Serbisë me të njëjtën gjuhë ‘troç’ që unë në të njëjtin vend apo në të tjera rrethana apo takime, kam shprehur bindjen se Serbia nuk duhej sanksionuar, për mos linjëzimin me BE në sanksionet ndaj Rusisë. Serbia nuk ka asnjë të ardhme tjetër përveçse nën çatinë e Europës së bashkuar. Se çfarë ndodhi në Banjskë dhe shpallja e zisë kombëtare për vrasësit e efektivit të policisë së Kosovës, jo vetëm që ishte një ngjarje pa asnjë lidhje me vlerat Europiane, por ka lëkundur besimin dhe ka vënë në pikëpyetje, që Unioni së bashku me vende të tjera të rajonin i kanë vënë Serbisë për ta nxitur që të përfshihet përfundimisht në anën e duhur të historisë dhe për ta mbajtur sa më larg konfliktit.

 Është koha për Serbinë që të përballet me vetveten dhe të vendosë të gjithë gurët tek e ardhmja Europiane dhe t’i përgjigjet në mënyrë konstruktive ndryshimit pozitiv të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Po ashtu i jam drejtuar me të njëjtën gjuhë edhe përfaqësueses së Republikës së Kosovës. Rajoni e ka të nevojshme si dritën, ajrin, ujin për jetën që të dalë përfundimisht nga zona e dhimbshme e historisë dhe kam theksuar që është koha që Kosova të ndërtojë qasjen mbi themelin e ri që ka vënë me hapin shumë pozitiv që hodhi duke pranuar pas një humbje kohe të gjatë krijimin e asociacionit e komunave me shumicë serbe duke bërë që t’i hapë rrugë të gjithë përfitimeve që vijnë nga një marrëveshje përfundimtare. Kam bërë thirrje që Këshilli Europian të heqë të gjitha masat shtrënguese të kuptueshme që iu imponuan Kosovës dhe duke bërë këtë, t’i japë Kosovës mbrapsht një inkurajim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit.”- tha Rama.

Ndër të tjera, Rama komentoi edhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt unionit të cilin e sheh si shumë të sukesshëm. Pavarësisht se Brukseli i vuri kushte Shqipërisë për integrimin dhe i mbylli derën nisjes së negociatave për kapitujt e parë, Edi Rama e konsideroi si triumf.

Rama u pyet edhe për aferën e inceneratorëve, por preferoi të shmangej duke u shprehur se është kryeministër e jo llogaritar.

YouTube player