Lajme

Radio Evropa e Lirë: BE-ja nuk bën kompromis për çështjen “Balluku”!

Shqipëria është rikthyer në fokusin e Bashkimit Evropian përsa i përket standardeve të sundimit të ligjit, një kusht thelbësor për avancimin në procesin e anëtarësimit. Sipas një analize të Radio Evropa e Lirë, zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend kanë ngritur pikëpyetje serioze për përmbushjen e kritereve kyçe të integrimit.

Megjithëse Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt negociues, progresi në këtë proces mbetet i kushtëzuar nga ecuria në Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen drejtpërdrejt me gjyqësorin, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Këta kapituj, sipas metodologjisë së BE-së, hapen të parët dhe mbyllen të fundit, duke reflektuar rëndësinë që Brukseli i jep këtyre reformave.

Komisioni Evropian ka theksuar vazhdimisht se “reformat nuk janë vetëm për letër”, por duhet të shoqërohen me rezultate konkrete dhe të matshme. Në raportet e fundit të progresit, shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë presionin politik mbi sistemin e drejtësisë, nivelin e pamjaftueshëm të luftës kundër korrupsionit dhe kufizimet në lirinë e medias.

Lexo më shumë  Qeveria premton edhe 1 milion nëse e mund Turqinë

Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë, një nga zhvillimet më të fundit që ka ndikuar negativisht në perceptimin e Brukselit është refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për korrupsion.

Deputetët e Partisë Socialiste votuan kundër kërkesës për heqjen e imunitetit, një vendim që u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se Parlamenti kishte bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga media, Brukseli nuk ndan të njëjtin vlerësim dhe e konsideron këtë vendim problematik në raport me standardet e sundimit të ligjit.

Ky zhvillim ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në procesin teknik të negociatave. Disa vende anëtare të BE-së kanë shfaqur rezerva për miratimin e të ashtuquajturit IBAR pozitiv për Shqipërinë, një raport kyç që vlerëson progresin në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit në kuadër të Kapitujve 23 dhe 24.

Lexo më shumë  Integrimi evropian dhe kostoja e lartë e jetesës në Shqipëri/ Hendeku mes çmimeve dhe të ardhurave mbetet i thellë

Pa një miratim unanim të IBAR-it nga të 27 vendet anëtare, Shqipëria rrezikon të ngecë në fazën aktuale të negociatave dhe të mos avancojë drejt mbylljes së kapitujve.

Ndaj sipas REL, mesazhi i Brukselit mbetet i qartë: përparimi në integrimin evropian nuk mund të arrihet pa reforma të thella dhe të besueshme në sundimin e ligjit, të cilat jo vetëm miratohen në letër, por zbatohen realisht në praktikë, pra si në lejimin e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Rruga Press

YouTube player