Rada Trajkoviq akuzon presidentin Vuçiq për ‘keqinformim të serbëve në veri të Kosovës’
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë ajo “keqinformim të serbëve”.
“Në vitin 2016 keni nënshkruar një marrëveshje për tabelat me afat skadimi për pesë vite, së cilës sapo i ka kaluar afati. Kjo marrëveshje u nënshkrua si pjesë e negociatave të Brukselit, rezultatet e të cilave ju i zbatoni në mënyrë jo transparente që nga viti 2013, përmes elementëve kriminale në terren dhe Listës suaj ‘satelitore’ politike Srpska”, ka shkruar ajo në Twitter.
Më tej ajo i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë që të “ndalojë dezinformimin e serbëve në veri, por t’u tregojë atyre të vërtetën personalisht”.
“Ngjarjet e sotme janë pasojë e veprimeve tuaja që Prishtina tani po i përdor. Mjaft më me destabilizimin e komunitetin tonë me intriga dhe gënjeshtra”, ka shkruar tutje Rada Trajkoviq.
Reagim i Rada Trajkoviq vjen pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve.
Dokumenti është nënshkruar sot, nga Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në vendimin të cilin e ka bërë publik vetë ministri Sveçla thuhet se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës”.
Tutje në vendim thuhet se vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë.
Si rezultat i kësaj, sot në orët e mëngjesit janë shtuar forcat policore në pikat kufitare me Serbinë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
Rruga Press