Qytetarët në Tiranë rendin të furnizohen me miell, frikë nga përkeqësimi i konfliktit në Ukrainë
Këtë fundjavë banorët e kryeqytetit u dyndën për t’u furnizuar me miell për shkak të frikës nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Euronews Albania vëzhgoi dy pikat e tregtimit të miellit ne Tiranë ku radhët ishin të gjata.
Qytetarët shprehen se janë duke u furnizuar jo vetëm me miell, por dhe me ushqime sepse presin që gjendja e luftës të përkeqësohet dhe të përfshihemi nga një krizë.
Krahas rritjes së kërkesës për blerje, një nga tregtarët theksoi dhe rritjen e çmimit në ditët e fundit, ndërsa shtoi se ka pasur dhe mungesa.
“Është rritur me 10-15 % deri tani. Këtu e mbrapa nuk e di, është thënë që do rritet, të vërtetën nuk e dimë. Të gjithë fabrikat e kanë rritur dje dhe sot. Dje kur shkova për të marrë miell, ishte bllokuar. Nuk jepnin miell sepse thoshin se do të rritet çmimi. Ai që ka pas marrë një thes, tani merr 5 thasë,” u shpreh një tregtar.
Aktualisht Rusia dhe Ukraina janë furnitorë kryesorë të Evropës me grurë. Shqipëria afro 70% të drithërave i siguron nga Serbia dhe Rusia.
Rruga Press