KryesoreLajme

Qeveria Rama punësoi 3900 persona në administratën publike para fushatës

Në fillim të këtij muaji, në datën 3 mars qeveria vendosi në zbatim të Kodit Zgjedhor të pezullojë të gjitha procedurat e rekrutimit në sektorin publik për periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 11 prilli deri në 11 maj. Por të dhënat zyrtare nga INSTAT që raportojnë numrin e të punësuarve në administratën publike tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar rreth 3900 persona iu shtuan administratës publike sipas të dhënave të listë pagesave nga tatimet.

Të dhënat zyrtare të INSTAT raportojnë se numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 184,278 persona në tremujorin e fundit të vitit 2024. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ishin rreth 2800 të punësuar më shumë. Të dhënat më të hershme tregojnë se ka një lidhje pozitive ndërmjet zgjedhjeve dhe punësimit në sektorin publik.

Psh në vitin 2021 në tremujorin e dytë punësimi në shtet shënoi rekord për periudhën 2018-2024, me mbi 185 mijë persona të punësuar, teksa në prill të 2021 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Në 2021 kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti.

Lexo më shumë  Ngecja e anëtarësimit në BE, Nesho: Evropa e ka kuptuar që situata në Shqipëri është katastrofë

Për të ndaluar përdorimin e punësimit në shtet për favore politike Kodi Zgjedhor përcakton të ndalohet çdo procedure rekrutimi nga institucionet që rekrutojnë punonjësit e tyre përmes Kodit të Punës. Qeveria njoftoi në fillim të marsit se procedurat e nisura do të duhet të përfundojnë, por asnjë procedurë e re punësimi në ministri, në institucionet e varësisë, por edhe në ato shoqëri aksionere me kapital shtetëror nuk mund të zhvillohen pas datës tre mars.

Por të dhënat zyrtare tregojnë se gati 4000 persona u shtuan si të punësuar në sektorin publik në tremujorin e fundit 2024, por ndërkohë rekrutimet mund të kenë vijuar edhe në janar-shkurt, përpara se të pezulloheshin një muaj para zgjedhjeve.

Të dhëna të mëparshme tregojnë se më së shumti në fushatat zgjedhore rekrutohen më shumë punonjës nga ndërmarrjet me kapital shtetëror sidomos ndërmarrjet e ujësjellësit dhe pushtetin lokal. Edhe pse qeveria ka shkurtuar numrin e ministrive dhe një seri shërbimesh i ofron online, sërish numri i punonjësve publik ka ardhur në rritje në vend që të ulet.

Shqipëria hyn në vendet ish-komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut, por shtetit ka nisur të rrisë fort praninë e tij në ekonomi në dekadën e fundit./ Monitor

Rruga Press

YouTube player