Qeveria në Kosovë/Ndahen 10 milionë euro, familjet do të subvencionohen me kredi konsumuese
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të ndahen 10 milionë euro për mbështetje të likuiditetit familjar në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë paraqitjes së këtij propozimi ka thënë se me anë të masës 3.6, familjet do të subvencionohen me kredi konsumuese.
Sipas tij, kjo masë pritet t’ua lehtësoj familjeve lehtësimin e shpenzimeve sezonale.
“Përmes këtij vendim-propozimi, Ministria e Financave propozon ndarjen e 10 milionë eurove për zbatimin e masës 3.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht mbështetja për likuiditetin familjar”, ka njoftuar Murati, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë se janë takuar me akterët e interesit dhe se shumë shpejtë do të nis zbatimi i kësaj mase.
“Me anë të kësaj mase mbështesim amvisërinë pra familjet duke u subvencionuar me kredi konsumuese ashtu që ta kenë sa më të lehtë përballimin e shpenzimeve sezonale. Mjetet e ndara për këtë masë merren nga Programi i Ringjalljes Ekonomike. Kemi filluar takimin me akterë të interesit lidhur me operimin dhe racionalizmin e kësaj mase, andaj pritet që shumë shpejtë zbatimi dhe subvencionimi i saj”, ka thënë ai.
Murati gjatë një konference për medie është shprehur se do të mbështetet 10 për qind e kredisë konsumuese.
“Me anë të kësaj do të subvencionohet 10 për qind e vlerës së kredisë konsumuese. Gjatë ditëve në vijim do t’i shpallim kriteret e aplikimit. Më lehtë do ta kenë ata që i kanë të formalizuara vendet e punës. Duke e ditur që një pjesë e punëtorëve nuk është e formalizuar apo paraqitur në Administratën Tatimore, ne kemi prezantuar masat e tjera mbështetëse për të ndihmuar formalizimin sië është masa 1.2”, njofton Murati.
Ditë më parë, ishin marr disa vendime që kanë të bëjnë për ata që kanë humbur anëtarët e familjes nga COVID-19, ndihmë për familjet me nevojë me kuponë ushqimor dhe ndihmë për lehonat.
Për masën 3.1 janë ndarë 4 milionë euro e që është për ata që kanë humbur familjarët nga COVID-19, për masën 3.5 janë ndarë 1 milionë euro për kupona ushqimor për familjet në nevojë dhe për masën 3.5 janë ndarë 7 milionë euro për pagesa për lehonat dhe shtesat e fëmijëve.
Gjithashtu janë ndarë 2.7 milionë euro për pagesa shtesë për personelin mjekësor. Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, janë ndarë 15 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës, që është zbatimi i masës 1 për mbështetje të punësimit.
Mё tutje, nё zbatim tё masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive, Qeveria ka ndarë 10.43 milionё euro për subvencionimin e kredive investuese të bizneseve prodhuese e përpunuese.
Rruga Press