KryesoreLajme

Qeveria mirëpret heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe pret hapa të tjerë për integrim

Qeveria në detyrë e Kosovës mirëpret vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit, duke e cilësuar këtë hap si pozitiv, megjithëse i vonuar. Sipas saj, lirimi i fondeve dhe mbështetja financiare nga BE-ja është vendim i duhur, ndërsa pritet që këtë vit të bëhen edhe hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim.

Bashkimi Evropian konfirmoi të enjten nisjen e heqjes së masave, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove në fillim të këtij viti për mbështetje financiare të Kosovës. Masat ndëshkuese u vendosën më 2023 si përgjigje ndaj tensioneve në veriun e Kosovës, pas marrjes së mandatit nga kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri.

Lexo më shumë  “The Economist”: Pritet rritje e vakët e ekonomisë amerikane, ndikimi në nivel global

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi për Integrime Evropiane, tha për KosovaPress se lirimi i fondeve është një vendim pozitiv, megjithëse i vonuar, dhe theksoi nevojën për hapa të tjerë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, bëri me dije se krahas 216 milionë eurove të liruar në dhjetor 2025, BE-ja planifikon të lirojë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti. Fondet do të përdoren për projekte të ndryshme, ndërsa Komisioni synon përfundimin e programimit të të gjitha fondeve IPA III të destinuara për Kosovën.

Hulumtuesja Arbëreshë Loxha nga GLPS vlerësoi se heqja e masave ka rëndësi të madhe edhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe theksoi nevojën për të adresuar çdo dëmtim të mundshëm pas krijimit të institucioneve të reja.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në Komisionin Evropian, sqaroi se bëhet fjalë për lirimin e mbi 400 milionë eurove, duke përfshirë fondet që ishin liruar fillimisht në dhjetor. Ai shtoi se institucionet punojnë paralelisht në programimin dhe kontraktimin e projekteve që do të financohen.

Rruga Press

YouTube player