Qeveria Kurti prezanton projektin që krijon lehtësira për familjet e reja
Është lansuar pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës. Me këtë rast kryeministri, Albin Kurti, tha se kjo nismë prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve e në mënyrë të veçantë të familjeve të reja.
“Me lansimin e pilotimit të shërbimeve të integruara për lindjen e fëmijës po hapim një kapitull të ri me mënyrën se si shteti ofron shërbime publike më të afërta me qytetarin, më të koordinuara, më digjitale dhe me të thjeshta”, tha ai.
Kjo iniciativë, sipas kreut të qeverisë është ndërtuar nga këndvështrimi i qytetarit.
“Ajo ka për qëllim që një prej ngjarjeve më të rëndësishme në jetë, lindja e një fëmije, të shoqërohet me lehtësim e jo me barrë. Me zgjidhjen që po pilotojmë sot, prindërit nuk kanë nevojë më të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, benefitet që u takojnë, sistemin shëndetësor e për vaksinimin, mblidhen që në spital në momentin e lindjes dhe shpërndahen automatikisht në institucionet përkatëse”, tregoi Kurti.
Ai ka numëruar shërbimet që përfshihen në këtë zgjidhje. “Regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimi në sistemin shëndetësor, regjistrimi i vaksinave, hapja e llogarive në e-Kosova për prindërit dhe njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore. E gjithë kjo bëhet në mënyrë të automatizuar përmes platformës kombëtare të ndërveprimit”, sqaroi shefi i ekzekutivit rreth kësaj nisme.
Kurti tha se kjo është qasja e tyre për t’u kujdesur për qytetarët në mënyrë të integruar, duke e quajtur projektin si një nga veprimet kyçe të strategjisë së e-Qeverisjes 2023-2027 dhe që sipas tij, përfaqëson vizionin për një administratë publike e cila është digjitale, proaktive e gjithëpërfshirëse.
Ai tregoi se aktualisht janë mbi 220 shërbime të ofruara nga e-Kosova, derisa tha se vetëm në dy vitet e fundit numri i transaksioneve përmes kësaj platforme është rritur për 155 për qind, nga 1,9 milion në 4.9 milionë. Kjo sipas Kurtit, përkthehet në kohë të kursyer për qytetarët dhe më pak barriera në jetën e tyre të përditshme.
Rruga Press