BallinaLajme

Qeveria ka shpenzuar vetëm 58% të fondeve të planifikuara brenda 10-mujorit, 28 mln euro shkuan për koncesionet, më pak u shpenzuan për rindërtimin

Gjatë 10 muajve (janar-tetor) qeveria ka realizuar vetëm 58% të fondeve të planifikuara në buxhetin e vitit 2019, për të financuar investimet publike.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë periudhës janë çelur nga thesari 57 miliardë lekë nga 99 miliardë të planifikuara.

Nga lista e detajuar e investimeve rezulton se nga 2467 projekte, në total janë financuar vetëm gjysma e tyre, rreth 1252 projekte.

Nga lista e projekteve të financuara shihet se financimet më të mëdha i kanë marrë kontratat koncesionare, projektet e rindërtimit dhe investimet në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Nga totali i fondeve të shpenzuara, më shumë se 6% e tyre shkuan për financimin e kontratave koncesionare, me një shumë totale prej 3.5 miliardë lekësh ose 28 milionë eurosh. Kjo shumë shkoi për financimin e koncesionit të Rrugës së Arbrit me 1,9 miliardë lekë.

738 milionë lekë shkuan për subvencionin e trafikut të munguar në Rrugën e Kombit, inceneratori i Fierit është financuar me 406 milionë lekë, inceneratori i Elbasanit me 272 milionë lekë dhe supervizioni i Rrugës së Arbrit me 135 milionë lekë. Gjyma e tjetër e kontratave koncesionare, si ato në shëndetësi dhe inceneratori i Tiranës financohen nga zëri i shpenzimeve korrente.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Më tej, grupi i projekteve që janë financuar më së shumti këtë vit, janë projektet e rindërtimit. Deri në fund të 10-mujorit janë çelur 2.4 miliardë lekë (19 mln euro), nga të cilat 811 milionë lekë ishin për rindërtimin e banesave individuale dhe pjesa tjetër, në rindërtimin e shkollave të shembura.

Siç shihet nga të dhënat, projekti i rindërtimit të banesave nuk ka përparuar siç kanë qenë programimet në buxhet, pasi për këtë vit ishin planifikuar të shpenzoheshin 5,6 miliardë lekë.

Projektet e infrastrukturës rrugore kanë qenë gjithashtu të financuara këtë vit. Ndërtimi i bypass-it të Fierit është projekti më i financuar këtë vit me 2.7 miliardë lekë, i ndjekur nga rruga Kardhiq-Delvinë dhe Qukës-Qafë – Plloçë.

Ecuria e investimeve publike këtë vit u përball me dobësi të theksuar edhe prej krizës së pandemisë, e cila ndikoi negativisht në grumbullimin e të ardhurave buxhetore.

Me gjithë ndryshimet e bëra në buxhetin e 2020 për ta përshtatur atë me zhvillimet e reja, zëri i investimeve mbeti i pandryshuar. Por gjatë 10-mujorit, shihet se programi i investimeve është realizuar vetëm 58%.

Ky mosrealizim rrezikon të rikthejë praktikën e viteve të kaluara, ku fondet e mbetura prokurohen në muajin dhjetor.

Lexo më shumë  Muja shpalos fakte: Në kohën kur Hykmete Bajrami ka qenë Ministre e Tregtisë nga rezervat shtetërore  janë avulluar mbi 2500 tonë grurë në vlerë 529 mijë euro

Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave, gjatë vitit të kaluar zbuloi se, nga të gjithë zërat buxhetorë, shpenzimet kapitale janë përgjegjëse për pjesën dërrmuese të detyrimeve të prapambetura. Auditi i qeverisë ka vërejtur se gjatë vitit 2019, realizimi i shpenzimeve kapitale paraqet devijimin të madh nga planifikimi në buxhet, i miratuar në Kuvend.

Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.65 pikë nga 4 pikë të mundshme, ose vetëm 16.3% e detyrimeve vjetore të përcaktuara në fillim të vitit. Raporti i audituesve tregon se, devijimi i përdorimit të fondeve publike për investime është përkeqësuar më tej në vitin 2019.

Nga të gjitha grupet e njësive të qeverisjes së përgjithshme të marra në analizë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura.

Në ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin në kryerjen e procedurave të prokurimit.

Monitor

YouTube player