“Qeveria ka nxjerrë patronazhistët”, dita e tretë e protestës para Kryeministrisë
Për të tretën ditë radhazi, në Tiranë është zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimeve para Kryeministrisë.
“Në vend që të heqë taksat e naftës, qeveria ka nxjerrë në fushë-betejë patronazhistët. Ka nxjerrë sufllaqexhinjtë dhe të gjithë servilët e spiunët, për të hedhur vrer për këtë protestë. A thua se ju që keni ardhur këtu, keni ardhur për t’u bërë kryeministra. E kemi edhe kryeministri, edhe Presidentin, që mos i paçim. Ne kemi ardhur këtu për dinjitetin njerëzor, që qytetarët e varfër të kenë mundësi të hajnë bukë”, tha aktori Florian Binaj.
Protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, ku janë bllokuar akset kryesore të rrugëve. Qytetarët durrsakë që po protestojnë kundër rritjes së çmimeve janë nisur drejt autostradës Durrës-Tiranë. Ashtu si dje, edhe sot protestuesit janë nisur drejt autostradës me qëllim bllokimin e dy krahëve të saj.
Rruga Press