Qeveria i përgjigjet BE-së: Lista Serbe po bllokon miratimin e Ligjit për liritë fetare
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb po bllokojnë Kuvendin që ta kalojë Ligjin për liritë fetare përmes së cilit definohet statusi i Kishës Serbe në Kosovë.
Bashkimit Evropian të martën i bëri thirrje Kosovës ta miratojë Ligjin për liritë fetare, duke u shprehur se kjo çështje është në interes të të gjithë qytetarëve.
Në një postim në “X”, Ahmeti ka thënë se ky Ligj është miratuar nga Qeveria, por në Kuvend është bllokuar nga serbët.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë që ai të mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në “X”.
Në 2023-n në Ohër, Kosova e Serbia ishin dakorduar për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
Në nenin 7 të marrëveshjes përmendet zyrtarizimi dhe ofrimi “i një niveli të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare e kulturore serbe”.
Kjo çështje, siç kishte thënë kryeministri Albin Kurti, do të rregullohet nëpërmjet Ligjit për liritë fetare.
Rruga Press