Qeveria i cakton pension, reagon ashpër babai i Klodian Rashës: Vrasje për së dyti! Ndjesa e autorit? Fasadë, duan ta devijojnë
“Vrasje për herë të dytë” e quan Qazim Rasha, i ati i 25-vjecerit Klodian Rasha cilësimin nga qeveria të ekzekutimit të të birit si “humbje jete aksidentale”. Një cilësim i tillë u evidentua në vendimin e qeverisë për pensionin ndaj familjes së viktimës, vendim i cili u botua sot në fletoren zyrtare. “Ajo është vrasje me paramendim, nuk ka asnjë lloj alibie” deklaron Qazim Rasha për Abc News. “Nuk kam hallin e pensionit” thotë ai më tej, ndërsa për ndjesën që i kërkoi oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj, Rasha thotë se kjo është fasadë.
Intervista e plotë e Qazim Rashës për Abc News
Si e cilësoni deklaratën e protestuesve që kjo nuk është më kauzë vetëm e juaja por e të gjithë shqiptarëve?
Njeriu atë që ndjen e shpreh vetë dhe unë nuk mund të shpreh asgjë më tepër përveç dhimbjes që kam për djalin tim, dhimbja është e djalit tim, familjes time, pjesë e dhimbjes je edhe ti, edhe ata, gjithkush merr pjesë. Ju lutem, ju lutem, ju lutem.
Si e cilësoni vendimin e qeverisë për dhënien e pensionit social?
Ajo është një metodë, një vlerësim që mund të bëhet në një lloj aspekti, por unë nuk kam hallin e pensionit, por hallin e dhimbjes së djalit.
Si e gjykoni faktin që në vendimin e qeverisë për dhënien e pensionit, e cilëson ngjarjen si aksidentale?
Ajo nuk është version, ajo është devijim nga gjithçka dhe ajo është një vrasje për së dyti. Vrasje e dytë. Ajo është vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Dhe nuk ka asnjë lloj alibie.
Çdo gjë është e monitoruar. Çdo gjë është e zbardhur, çdo gjë është e vëzhguar, janë gjithçka. Është një rrugicë non stop, mund të jenë 30 kamera që janë në qendër të asaj rrugice. Edhe si do që të jetë puna, vetëm nëse devijohet gjithçka nga linja se nuk ka asnjë lloj kuptimi tjetër.
Si e cilësoni deklaratën e autorit, që tha se dua t’ju kërkoj falje?
Ajo është një fasadë. Është thjeshtë fasadë dhe nuk ka fije kuptimi. Një person, sado edhe me çrregullime mendore, këtë lloj vulgariteti nuk arrin dot që ta mendojë dot ta mendojë, ta imagjinojë, jo ta vendosë në zbatim.
Një punonjës shteti, një punonjës policie, një punonjës rendi që është i detyruar për të ruajtur jetën time, fëmijës tim, fëmijës tënd, ne kërkojmë mbrojtje dhe solidaritet nga cilido. Nëse bëj një gabim unë marr dënimin, fajin që kam, por jo të ndëshkohet me genoncid, makabritet me vulgaritet, është bastarde.