Qeveria gjermane rrit ndihmën humanitare për Gazën me 20 milionë euro
Qeveria gjermane po rrit ndihmën humanitare për banorët në Rripin e Gazës, të cilët janë nën sulmet izraelite prej disa muajsh, me 20 milionë euro të tjera (21,6 milionë dollarë), njoftoi dje në mbrëmje ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.
“Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e banorëve të Gazës”, tha Baerbock.
“Numri i kamionëve që sjellin ushqime, ilaçe dhe ndihma të tjera në Gaza ka rënë ndjeshëm javët e fundit”, shtoi ajo.
“Kjo është e papranueshme. Qeveria izraelite duhet të lejojë akses të sigurt dhe të papenguar për ndihmën humanitare menjëherë”, tha Baerbock.
Sipas Ministrisë së Jashtme Gjermane, Berlini ka ofruar një total prej 206,5 milionë euro për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) gjatë vitit të fundit.
Javët e fundit, UNRWA është kritikuar pas akuzave izraelite se disa nga punonjësit e saj ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit në Izrael.
“Pas mosfunksionimit të rendit dhe ligjit në disa pjesë të Rripit të Gazës, ushtria izraelite duhet të sigurojë që ndihma humanitare të shpërndahet me sukses”, tha Baerbock.
“Së bashku me partnerët tanë, veçanërisht Jordaninë, ne duam të marrim pjesë edhe në shpërndarjen e ndihmave humanitare”, shtoi ajo.
“Në të njëjtën kohë, armëpushimi humanitar tani është i nevojshem më urgjentisht se kurrë, në mënyrë që pengjet të lirohen nga duart e Hamasit dhe më shumë ndihma humanitare të mund të arrijnë tek banorët”, tha ministrja gjermane.
Rruga Press