Qeveria fiton rastin ndaj komunave për faljen e tatimit në pronë
Qeveria e Kosovës ka fituar përballjen me komunat për faljen e tatimit në pronë. Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të mërkurën se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Në shtator, Kushtetuesja pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Komuna e Prizrenit e pati dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.
Kushtetuesja ka bërë të ditur po ashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.
“Gjykata ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit”, thuhet në vendim të Kushtetueses.
Me ligjin e ri, Qeveria ua pati mundësuar komunave të vendosin vetë për faljen e tatimit prej 100 eurosh, pasi Ministria e Financave rriti tatimin në pronë gati dyfish.
Disa komuna patën shfrytëzuar afatin dhe patën vendosur për faljen e nga 100 eurove.
Rruga Press