Qeveria e Kosovës shpreson për aplikim në BE në fund të vitit
Mehdi Sejdiu, këshilltar për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se po shpresojnë që në fund të këtij viti të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një gjë që e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti më herët.
“Shpresojmë që në fund të vitit të mund të aplikojmë në BE. Kanë aplikuar tri vende prej që kryeministri Kurti ka paralajmëruar për aplikimin e Kosovës. Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia. Ballkani është më afër BE-së sesa këto vende. Ne dërgojmë aplikimin dhe pastaj është detyra e Këshillit Evropian ta fusë në rend dite. Edhe anëtarët e BE-së që nuk e njohin e Kosovën, e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe kanë thënë se Kosova ka perspektivë evropiane. Pesë vendet mosnjohëse nuk do të thotë që nuk duhen të jenë konstruktive në raport me ne. Deri në statusin final të Kosovës, nuk besoj se duhet të ngecim”, ka thënë Sejdiu në “60 Minuta” të KTV-së.
Sot janë bërë gjashtë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dhe Sejdiu ka thënë se Qeveria aktuale i ka çuar përpara reformat të parashikuara në marrëveshje që kanë ngecur në të kaluarën për shkak të jostabilitetit qeveritar.
“Kosovë për gjashtë vjet, çdo vit harton një plan kombëtar për zbatimin e MSA-së. Kemi masa për zgjedhjet politike, në fushën e drejtësisë, ekonomisë, bujqësisë e të tjera. Për çdo vit, Kosova e përmbush obligimin ndaj MSA-së. Tash e një vjet është më ndryshe, sepse tani kemi një stabilitet qeveritar. Ndërrimi i qeverive ka ndikuar në ngecje të zbatimit të planit të MSA-së. 119 projektligje kanë kaluar brenda një viti, që është rekordi që nga viti 2008. Ne kemi marrë reforma që kanë ngecur në të kaluarën për t’i shtyrë përpara. Ne i kemi shtyrë inspektorët sanitarë të AUV-it në nivel komunal. Për shkak të kësaj, Qeveria ka përfituar prej fondeve të BE-së për me hap nga një zyrë në pesë komunat e ndryshme të Kosovës. Homologimi është heq në vitin e parë të qeverisjes dhe është komplimentuar nga Bashkimi Evropian. Ligji për Naftën është në plotësim/ndryshim”, ka thënë Sejdiu.
Sa i përket Ligjit të Pagave, Sejdiu ka thënë se po punohet që ligjet të jenë në përputhshmëri me Kushtetuesën dhe që të ketë nivelizim të drejtë për të gjitha kategoritë.
Rruga Press