KryesoreLajme

Qeveria e Kosovës njëzëri: Dënim maksimal për vrasjen e Liridona Ademajt

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe UNFPA-në, të hënën kanë mbajtur konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj përmendi rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, e cila u vra ditë më parë.

Sipas saj, edhe përkundër punës së institucioneve, ka ende punë për të bërë në parandalimin e këtyre rasteve. Ajo madje ka kërkuar dënimin maksimal të të akuzuarve në këtë rast.

“Gjatë këtyre ditëve kemi organizuar aktiviteteve në secilën komunë sepse jemi të shqetësuar me rastet e fundit. Rasti që ndodhi para disa ditësh ishte i rëndë dhe tronditi opinionin publik. Kjo tregon se përkundër faktit se kemi ndërmarrë masa për të luftuar dhunën në bazë gjinore, rasti që ndodhi para disa ditësh tregon se kemi shumë punë për të bërë”.

“Ftoj organet e drejtësisë e sigurisë që të punojnë dhe rasti i fundit duhet të marrë dënimin maksimal nga organet e drejtësisë dhe do të angazhohemi që ta mbërrijmë nivelin e trajtimit të barabartë”, u shpreh Haxhiu.

Për rastin e Liridona Ademajt, foli edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, duke kërkuar dënimin meritor. Ajo madje tha se po ndërmarrin masa edhe në shkolla në këtë drejtim.

“Në këtë aktivitet global, edhe këtë vit e filluam në shkollat tona, duke u munduar që të kemi aktivitete informuese për nxënësit dhe mësimdhënësit. Jo rastësisht, patëm aktivitete me nxënës, me arsimtarë e drejtorë. Një prej dukurive negative është edhe aborti selektiv. Ndikon në aspektin emocional, jo vetë të nënave, por të gjithëve. Fatkeqësisht edhe shoqëria jonë vazhdon të jetë në këtë mes përkundër që ka pak përmirësime”.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se solidarizimi me gratë është betejë për solidaritet njerëzor. Sipas tij, është çnjerëzore heqja e fëmijës për shkak të gjinisë dhe kjo nuk bëhet me faj të gruas, por e kundërta.

“Në këtë betejë nuk kërkon solidaritet me gratë, por solidaritet njerëzor. Përveç temës së sotme na ka mbledhur dhuna deri në asgjësim dhe shtypja përkundër punës sonë të përbashkët. Pse konsiderohet disavantazh për të pasur vajzë”.

“Çdo grua në vendin tonë mund të përdor metodat për të kuptuar gjininë e fëmijës. Është çnjerëzore heqja e fëmijës për shkak të gjinisë dhe kjo nuk bëhet me faj të gruas, por e kundërta. Nga të dhënat që i kemi, rezultojnë rreth 1 070 raste të abortit në Kosovë”, tha Vitia.

Për vrasjen e Liridona Ademajt është shprehur dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku në një postim përmes Facebook-ut shkruan: “Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Ai ka thënë tutje se arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton, derisa ka kritikuar sistemin e drejtësisë.

“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”.

“Sot (dje) ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”.

I pari i ekzekutivit ka kërkuar kontributin e të gjithëve për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend”.

“Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka shkruar Kurti.

Gjithashtu rasti bëri jehonë dhe në Shqipëri, ku dhjetëra qytetarë kanë dalë të dielën në protestë me thirrje kundër vrasjeve të vajzave dhe grave.

YouTube player