Qeveria e Kosovës ndan 240 mijë euro për libra shkollorë për filloristët e Luginës së Preshevës
Qeveria e Kosovë ka marrë vendim për të ndarë 240 mijë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për 3708 filloristë shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Ndarje e mjeteve do të bëhet përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Vendimi u mor në mbledhjen e Qeverisë.
“Ky akt është më shumë sesa një veprim administrativ, është akt solidariteti dhe përgjegjësie kombëtare që nuk lë vend për fjalë, por vetëm për mirënjohje të thellë! 2220 nxënës në Preshevë, 1461 në Bujanoc dhe 27 në Medvegjë, edhe këtë vitin e ri shkollor e fillojnë me tekstet që do t’i ndihmojnë të ecin përpara. Kjo nuk është thjesht ndihmë, kjo është garanci për të ardhmen e brezave që vijnë, për ruajtjen e gjuhës shqipe, për forcimin e identitetit tonë. E fatkeqësisht Serbia edhe më tej nuk lejon në Luginën e Preshevës asnjë libër shkollor në gjuhën shqipe për rreth 3 mijë nxënësit e shkollave të mesme me plan-programet e reformuara. Megjithatë, vendimi i sotëm nuk ka të bëjë vetëm me shkollimin, ka të bëjë me ne si komb, si një trup i vetëm që pavarësisht kufijve politikë, qëndron përkrah njëri-tjetrin. Qeveria e Kosovës po dëshmon edhe një herë se është krah për krah me shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse vetëm kështu do të ecim përpara, më të fortë se kurrë!” – ka shkruar Ragmi Mustafi në Facebook.
Rruga Press