Qeveria e Kosovës miraton pagesën shtesë për punëtorët shëndetësorë
Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e pagesës shtesë prej 10 për qind të pagës bazë për punëtorët shëndetësorë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, që u mbajt të mërkurën më 26 janar, u tha se kjo pagesë do të bëhet për periudhën janar-qershor 2022.
Ndarja e shtesave për punëtorët shëndetësorë kishte nisur vitin e kaluar.
Gjatë mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi po përballet me një valë të shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit.
Teksa kujtoi se një ditë më parë, Kosova regjistroi 2,707 raste me koronvirus, ai tha se gjendja me pandeminë “është e rënduar”.
“Numër kaq të lartë të rasteve në ditë nuk kemi pasur që nga muaji gusht i vitit të kaluar kur e kishim situatën shëndetësore shumë të rënduar. Madje, janë tejkaluar shifrat e gushtit. Gjendja është e rënduar edhe tani. Kjo rritje e shpejtë e rasteve rrit numrin e spitalizimeve dhe ngarkesën mbi sistemin tonë shëndetësor e mund të rezultojë në më shumë vdekje. Ne po na duhet të kujdesemi si për shëndetin e popullsisë, ashtu edhe për kapacitetet e shëndetësisë”, tha Kurti.
Të shtunën, më 22 janar, Kosova regjistroi 3,206 raste, që është shifër rekord e infektimeve ditore që prej fillimit të pandemisë.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit dhe të respektojnë masat.
Në Kosovë më 22 janar kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, ku parashihet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Po ashtu, sipas masave të reja, çdo person që hyn në Kosovë duhet të paraqesë dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës ose me dy doza dhe test negativ PCR.
Rruag Press