Qeveria e Kosovës deklarohet pas takimit të Kurtit me emisarët ndërkombëtarë
Pas takimit më shumë se dy orë të kryeministrit Albin Kurti me emisarët ndërkombëtarë, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se është diskutuar për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, duke thënë se ky propozim është bazë e mirë për normalizimin marrëdhënieve, por me njohje reciproke në qendër.
Kjo është hyra e dytë që kryeministrit Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022. Kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar.
“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Po sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel.
Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.
“Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën” – citohet të ketë thënë Kurti.
Pas takimit në Prishtinë, përfaqësuesi Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha para mediave se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar propozimin për normalizim që u prezantua në shtator dhe më pas në dhjetor të vitit 2022.
“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar propozimin për normalizim që ju prezantua në shtator dhe më pas në dhjetor. Kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin, gjë që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur” – tha Lajçak.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajkçak; këshilltarët për Politikë të Jashtme dhe Siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne; këshilltarin diplomatik të kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pasdite, ekipi i diplomatëve ndërkombëtarë është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Rruga Press