KryesoreLajme

Qeveria: Draftstatuti i Asociacionit është veç një non-paper

Qeveria i është kundërpërgjigjur Bashkimit Evropian, zyrtarë të të cilit një ditë më parë thanë se Kosova e ka pranuar në parim Draftstatutin e Asociacionit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka thënë RTKlive se dokumenti është veç një prej shumë propozimeve.

“Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha ai.

Sipas tij, në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel me kancelarin gjerman Scholz, presidentin francez Macron, kryeministren italiane Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Michel, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell dhe emisarin e BE-së, Lajcak, Kryeministri Kurti kishte ofruar që të nënshkruhet paketa e Marrëveshjes Bazike, përfshirë draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike.

“Një gjë e tillë u refuzua nga Serbia. Krahas refuzimit për të nënshkruan pakon, Serbia kishte kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023. Në fund të atij takimi Kryeministri kishte thënë: “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, siç edhe potencohet në komunikatën zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me atë takim. Meqenëse nuk pati nënshkrim,  andaj nuk ka as pranim”, tha ai.

Lexo më shumë  Mustafi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, shuplakë për shqiptarët

Kryeziu theksoi se kjo nuk është hera e parë që ofertat nga ana e Kryeministrit Kurti që kanë të bëjnë me zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, janë refuzuar. 

“Një e tillë ishte refuzuar edhe në Ohër në mars 2023 kur Kryeministri Kurti kishte shprehur gatishmërinë për hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, Letrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini të vitit 2015 dhe opinionin e publikuar të emisarit amerikan Escobar dhe këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet në vitin 2023”, deklaroi ai.

Lexo më shumë  Aksion policor sërish në veri të Mitrovicës, gjenden armë dhe municion në kulmin e një ndërtese

Kryeziu tha e kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduar. 

“Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit. Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti”, tha Kryeziu.

Rruga Press

YouTube player