“Qerthulli i mbyllur i varfërisë dhe domosdoshmëria e minimumit jetik”
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut u zhvillua tryeza e diskutimit mbi çështjen shumë të diskutuar atë të Minimumit Jetik. Kjo tryezë u organizua në kuadër të kësaj dite nga Organizata Drejtësi Sociale ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të Avokatit të Popullit, institucionit shtetëror të Shërbimeve Sociale si dhe organizata të tjera të shoqërisë civile.
Ndër të tjera u paraqit dhe një raport i detajuar “Qerthulli i mbyllur i varfërisë dhe domosdoshmëria e minimumit jetik” nga sociologu Ervin Kaçiu mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e të paturit një Minimum Jetik dhe të dinjitetshëm në Shqipëri.
Para pesë muajsh është prezantuar dhe një draft nga Avokati i popullit ku në të propozohet dhe se sa duhet të jetë Minimumi Jetik në Shqipëri.
Sipas këtij studimi, minimumi i përllogaritur që i nevojitet një personi në Shqipëri për të siguruar nevojat bazike është 17 875 lek në muaj.
“Kjo vlerë është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale”.
Ndërkohë që sot jemi akoma në kushtet kur vetë institucionet shtetërore po e pamundësojnë domosdoshmërinë e të pasurit një minimum jetik.
Ndërkaq studiuesi Kaçiu u shpreh për studimin e tij që i përket një karakteri cilësor dhe që mbështetej në intervista të thelluara. Sipas tij përcaktimi i Minimumit Jetik afekton gjithë shoqërinë por edhe grupet më vulnerable të shoqërisë që janë njësitë kyçe të këtij operacioni ekonomiko-social.
Sipas tij edhe nëse gjendet vullneti politik për të përcaktuar Minimumin Jetik, në rastin më të mirë është vetëm në rregullime të pjesshme të zërave buxhetorë.

